English

Turk: Liderët e rajonit të dëshmojnë më shumë maturi

Lubjanë, 21 mars, NOA - Edhe pse nuk ishte drejtpërdrejt i inkuadruar në organizimin e takimit të liderëve të Ballkanit në Bërdo afër Kranjit, presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, mbështeti fuqishëm këtë ide, sepse mendon se ka ardhur koha që liderët e rajonit të flasin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.

Turk, duke folur për një grup të vogël të gazetarëve nga Brukseli, ka theksuar se liderët e rajonit duhet të demonstrojnë "një nivel më të madh të maturisë dhe të interesave të përbashkëta", shkruan sot gazeta Koha Ditore në Kosovë. "Ka pasur takime në të kaluarën, por tash mendojmë se është koha që liderët e rajonit ta bëjnë një hap më shumë, të flasin mes vete edhe pa praninë e të tjerëve. Ky do të jetë një proces dhe takime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen në vende të tjera. Ky është takim i bashkorganizuar me Kroacinë dhe mendoj se është e natyrshme që takimi i ardhshëm të zhvillohet diku në Kroaci", thotë Turk.

Presidenti i Sllovenisë mendon se vendet e rajonit kanë pasur në mënyrë konstante mbështetjen e Sllovenisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kjo do të vazhdojë.

"Këto vende duhet të bashkëpunojnë edhe më shumë me njëra-tjetrën. Duhet të përmbushin kriteret e kërkuara për anëtarësim dhe ne mbetemi të gatshëm t'u ndihmojmë", thotë Turk.

NOA/Koha Ditore

KOMENTE