English

Një qeveri qartazi e dorëzuar para krizës!

Tani është vonë për Ministrin Bode, të flasë si financier, pasi i ka shkatërruar financat e këtij shteti dhe shumë më vonë akoma të flasë si politikan. Nëse ai do të ishte politikan serioz edhe pa pasur përgjegjësi për këtë krizë duhet të kishte ikur

Nga Mero Baze*

Qeveria shqiptare po jep shenja të qarta dorëzimi para krizës financiare, duke ju ri-drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe duke kërkuar nga Banka Qendrore stimuj për të rritur kreditimin në ekonomi, edhe pse fenomeni kryesor që po vihet re është rritja e pasigurisë për qëndrueshmërinë fiskale për shkak të rritjes së shpenzimeve buxhetore dhe rënies së të ardhurave.

Ministri i Financave Ridvan Bode, ka ndryshuar tërësisht qëndrimin e tij nga disa muaj më parë, kur polemizonte me gjithë ekspertët që paralajmëronin krizën e financave të Shqipërisë, dhe po përpiqet të përfshijë në recetat e zgjidhjes së saj rekomandimet e FMN-së që kanë kohë që bien në vesh të shurdhër.

Por ajo që bie në sy në gjithë këtë sjellje artificiale të qeverisë ndaj krizës, ka të bëjë mungesa e autoriteteve profesionale të qeverisë në këtë debat. Ministri i Financave Ridvan Bode, i cili kishte dhënë disa shenja të rezistencës profesionale, përballë deklarimeve dhe veprimeve të papërgjegjshme të kryeministrit, në të vërtetë doli më i munduri në këtë betejë.

Buxheti i vitit 2009, jo vetëm që nuk u realizua, por u detyra të ndryshohet formalisht edhe pasi vitit 2009 kishte mbaruar duke na çuar në një precedent të rrezikshëm kushtetues për sjelljen ndaj financave publike.

Gjatë vitit që shkoi, qeveria shqiptare mblodhi më pak para, madje frikshëm më pak, se sa nevojiten për shpenzimet operative ku futen rrogat, pensionet dhe shpenzimet e tjera të administratës.

Gjithë investimet publike mbeten vetëm në mëshirë të kreditimit të jashtëm, dhe pjesa tjetër është bllokuar duke shkaktuar një krizë të pashembullt në industrinë e punëve publike, ku dhjetëra kompani shqiptare kanë ngrirë aktivitetin në pritje të pagesave nga qeveria.

Ministri i Financave dështoi në mbledhjen e ardhurave, të planifikuara në tribuna elektorale dhe jo në zyra profesionistësh. Ai po ashtu dështoi në mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve operative duke i rritur ato rreth 500 milionë dollarë mbi parashikimin për shkak të vitit elektoral.

I gjithë ky mekanizëm financiar, i dalë jashtë kontrollit, shërbeu si stimul fiskal mbi ekonominë që shenjat e krizës të mos shfaqeshin hapur, por në të vërtetë tani ekonomia po vuan pikërisht këtë sjellje artificiale dhe jo realiste ndaj krizës. Tani Ministri i Financave ka vendosur të ulet me këmbë në tokë dhe të kërkojë ndihmë te FMN-ja dhe të premtojë ulje të shpenzimeve publike, por e gjithë kjo është në kundërshtim me politikën e qeverisë dhe kryeministrit Berisha që flet për rritje pagash dhe investime në infrastrukturën e një vendi që s'ka para për të paguar rrogat dhe pensionet aktuale.

Dështimi i Ministrit të Financave si profesionist dhe përpjekja e tij për të mbijetuar politikisht, duke u përpjekur të arsyetojë në mënyrë vulgare dështimin financiar, jo vetëm që nuk na shpëton nga kriza, por na la dhe pa rrugëzgjidhje për të.

Tani është vonë për Ministrin Bode, të flasë si financier, pasi i ka shkatërruar financat e këtij shteti dhe shumë më vonë akoma të flasë si politikan. Nëse ai do të ishte politikan serioz edhe pa pasur përgjegjësi për këtë krizë duhet të kishte ikur.

Dhe nëse do të ishte profesionist serioz, nuk do të kishte bërë kurrë kompromis me politikën që futi duart te buxheti, për interesa politike.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE