English

Prifti: Shqipëria, rritjen ekonomike më të lartë në Evropë dhe më 2010

Tiranë, 25 Mars NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti deklaroi sot se, Shqipëria do të jetë vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë edhe në vitin 2010.

Këtë deklaratë ministri z. Prifti e bëri gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë e prezantimit të Veneto Banka, ku të pranishëm ishin anëtarë të tjerë të qeverisë, përfaqësues të biznesit, si dhe përfaqësues të grupit bankar Veneto Banka Holding.

Duke iu referuar fjalës së Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, i cili përmendi faktin se gjatë vitit 2009 Shqipëria ishte vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, z. Dritan Prifti u shpreh se, rritja ekonomike për vitin 2010 do të jetë më e lartë se në vitin e kaluar, pasi ajo do të jetë 4 deri në 5 për qind.

"Shqipëria është një vend që rritet. Zoti Ambasador tha që në vitin 2009 Shqipëria ka qenë vendi më rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Unë po i premtoj zotit Ambasador që edhe në vitin 2010 Shqipëria do të jetë vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, një rritje ekonomike, e cila do të jetë edhe më e lartë se në vitin 2009. Nëse në vitin 2009 ekonomia u rrit me 3 për qind, këtë vit besoj se do të kemi një rritje ekonomike 4 deri në 5 për qind, pra më të lartë se viti i kaluar", u shpreh zoti Prifti.

Përsa i përket Veneto Banka, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shprehu bindjen se ky grup bankar ka ardhur në Shqipëri me strategjinë e duhur për të mbijetuar dhe për të përfituar nga biznesi në Shqipëri, duke përmendur paraprakisht se nuk është e thjeshtë të mbijetosh në një vend ku ka 17 banka të ndryshme.

Ministri z. Dritan Prifti shprehu simpatinë për Grupin Veneto Bank dhe premtoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për biznesin që ky grup do të ndërtojë në vendin tonë. Z. Prifti tha se, Shqipëria ka shumë sektorë ekonomikë me interes për të investuar, siç është ai energjetik, minerar, turistik, etj.

"Unë dua t'i ftoj bizneset shqiptare, por edhe ato të huaja që investojnë në Shqipëri, të jenë sa më novatorë, të kenë sa më shumë plane biznesi të qëndrueshme dhe fitimprurëse, sepse e vërteta është që sektori bankar sot në Shqipëri është i zhytur në llikujditete. Sektori bankar ka shumë para të disponueshme për t'ia akredituar biznesit dhe në fakt ankohet se biznesi nuk ka po kaq shumë idera për të investuar", u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Ministri z. Prifti tha se qeveria është e interesuar për të thelluar reformat ekonomike në vend dhe informoi se, së bashku me kryeministrin dhe ministrin e Financave kanë diskutuar së fundmi për nisjen e procesit të përzgjedhjes së investitorit strategjik për Bursën e Tiranës, ku një pjesë e rëndësishme e përqindjes do të mbetet për sektorin bankar.

e.r/NOA

KOMENTE