English

Protestojnë taksitë, apel shtetit të ndalë informalitetin

Tiranë, 25 mars, NOA - Siç e kanë bërë tashmë traditë, një herë në javë taksitë e verdha në kryeqytet kanë protestuar edhe sot kundër liberalizimit të licencave dhe informalitetit në shërbimin taksi. Dhjetëra taksi të licencuara kanë nisur protestën e tyre të radhës nga sheshi "Nënë Tereza", për të kaluar më pas në bulevardin e madh "Dëshmorët e Kombit" e për tu ndalur në sheshin "Skënderbej".

Të mbledhur para bashkisë dhe ministrisë së Transporteve, drejtuesit e taksive u kanë kërkuar këtyre dy institucioneve të frenojnë konkurrencën e pandershme në kryeqytet e cila po i çon ata drejt falimentimit.

"Nuk do të ndalemi para asgjëje, këtu do vijmë të protestojmë deri sa të dëgjohen kërkesat tona. Të gjithë taksitë në Tiranë po lyhen me të verdha dhe po punojnë në shërbimin taksi njësoj si ne që jemi taksapagues. Konkurrenca po na mbyt dhe po na falimenton dhe në këtë situatë nuk ndërhyn askush, as policia e shtetit as ajo bashkiake. Dy janë kërkesat tona, thelbësorja është frenimi I liberalizimit pa kufi të licencave dhe për këtë I kërkojmë ministrisë së Transporteve të vendosë kritere të forta. Kërkesa e dytë I drejtohet bashkisë, aty ku paguajmë taksat. Ajo duhet të na përgjigjet për shërbimin taksi që ofrojmë. Të na sigurojë vende parkimi pasi po marrim gjoba pa fund nga policia rrugore si dhe të ndalojë konkurrencën e pandershme përmes policisë bashkiake", janë shprehur drejtuesit e taksive.

Me një vendim të ministrisë së Transporteve, taksitë e licencuara janë pajisur me taksimetrin në bazë të të cilit qytetari paguan për shërbimin e kërkuar.

Sipas drejtuesve të taksive, kjo ka shtuar detyrimet e tyre ndaj shtetit, ndërsa ky i fundit nuk po bën asgjë për ta.

b.a/NOA

KOMENTE