English

Berisha me kryeministrin e Kuvajtit: Investime në turizëm e infrastrukturë

Kuvajt, 4 Prill, NOA - Biznesi dhe qeveria kuvajtiane do të investojnë në turizëm dhe infrastrukturë në vendin tonë. Këto janë disa nga fushat ku është rënë dakord për bashkëpunim mes dy vendeve, në takimin që ka zhvilluar sot kryeministri, Sali Berisha me homologun e tij kuvajtian, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.

Takimi zyrtar i dy kryeministrave, i zhvilluar pas atij të mirëseardhjes, ka theksuar nivelin mjaft të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe në avancimin e mëtejshëm të tyre.

Kryeministri i Kuvajtit, ka theksuar se vizita e kryeministrit Berisha shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Zyra e shtypit e kryeministrisë njofton se dy kryeministrat kanë vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, "por u shprehën se ekzistojnë të gjitha potencialet për një zhvillim të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke e çuar bashkëpunimin ekonomik në nivele edhe më të larta".

Kryeministri i Kuvajtit, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah u shpreh se kontribut të madh në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve mund të japë bashkëpunimi në sektorin privat, por edhe bashkëpunimi nëpërmjet projekteve të përbashkëta midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Kuvajtian për Zhvillim.

"Në takimi u diskutua edhe për fushat me potencial për shfrytëzim nga investitorët kuvajtian, si shfrytëzimi i burimeve ujore të Shqipërisë, ndërtimi i resorteve turistike dhe fusha e turizmit në përgjithësi, për të cilin Shqipëria ka një potencial të madh si në turizmin malor edhe në atë bregdetar", thuhet në njoftimin zyrtar.

Dy homologët kanë diskutuar dhe për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës. Kryeministri Berisha është ndalur në projektet e financuara nga qeveria kuvajtiane, sië është dhe projekti më i fundit ai për ndërtimin e Boshtit të Jugut. "Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, do të ishte një ndihmë shumë e madhe financimi i mëtejshëm për zbatimin e projektit të Boshtit të Jugut", ka thënë Berisha.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se vendi i tij është i hapur që të lehtësojë investimet kuvajtiane në Shqipëri në fushën e rafinerive dhe përpunimit të naftës, si dhe në ndërtimin e Hidrocentraleve.

m.xh/NOA

KOMENTE