English

Kosovë, Sejdiu "thyen akullin" vizitë për Pashkë në një familje serbe

Prishtinë, 4 prill NOA - Besimtarët e krishterë në Kosovë kanë festuar sot Pashkët ndërsa urimeve të klerikëve katolikë dhe ortodoksë për Pashkët, u është bashkuar edhe presidenti Fatmir Sejdiu.

Sejdiu ka uruar, paqe mes të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e festës së Pashkëve ka vizituar sot një familje serbe të besimit ortodoks në Graçanicë. Në familjen e Millosh Maksimoviqit, presidenti i Kosovës theksoi se bashkëpunimi në paqe mes qytetarëve të Kosovës duhet të jetë themel i zhvillimit të gjithanshëm. Kjo është hera e parë që nga viti 1999, që dikush nga zyrtarët e lartë të Kosovës, në festat ortodokse viziton ndonjë familje serbe. "Pata një kënaqësi të veçantë që ta vizitoj familjen Maksimoviq, bashkë me ministrin (Rashiq) dhe deputetin Petroviq, për t'iu uruar festën e Pashkëve, një festë që është festë e mesazheve të mira për të gjithë njerëzit dhe e mesazheve për paqe bashkëpunim, për njerëzi dhe humanizëm, atë që thuhet gjithmonë dhe të them gjithashtu se kujdesi i institucioneve të vendit do të jetë kujdes ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim etnie", tha Sejdiu. Megjithëse ishte një vizitë me karakter fetar, nuk munguan mesazhet politike.

Presidenti Sejdiu, premtoi përkushtimin e institucioneve për komunitetin serb. "Është me rëndësi të veçantë që komuna re, e krijuar në Graçanicë, do të funksionojë normalisht sikurse komunat e tjera, në interes të të gjithë qytetarëve. Pjesëmarrja e rëndësishme e qytetarëve në procesin zgjedhor në mënyrë të qetë, tregon gatishmërinë e tyre për t'u marrë me problemet jetësore, si çdo njeri tjetër i Kosovës. Prandaj, mbetet që kjo ditë feste që është edhe ditë e gëzimit familjar, të jetë një impuls i ri për zhvillime, punë dhe për bashkëpunim", theksoi presidenti Sejdiu, i cili uroi besimtarët serbë edhe në gjuhën e tyre amtare. Milosh Maksimoviq falënderoi presidentin Sejdiu. Ndërsa, kreu i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, tha se vizita e Sejdiut është edhe një motiv tjetër që serbët të jetojnë në këto hapësira. a.a/NOA

KOMENTE