English

Bajram Rexhepi: Marrëveshja e riatdhesimit me gjermanët, një sfidë

Berlin, 15 prill, NOA - Marrëveshja është edhe një domosdoshmëri për liberalizimin e vizave, Rexhepi shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me Serbinë për luftimin e krimit të organizuar, por me kusht që Kosova aty të jetë subjekt i pavarur.

"Këtë vit ne do të përmbushim shumicën e kushteve teknike për liberalizim, siç është menaxhimi i integruar i kufijve, marrëveshjet për riatdhesim dokumentet dhe pasaportat biometrike të një sigurie të lartë", tha në një intervistë, ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi.

Zoti Rexhepi, në vizitën tuaj të parë jashtë shtetit si ministër i Brendshëm, ju nënshkruat dy marrëveshjet e para të bashkëpunimit me Gjermaninë në fushën e sigurisë dhe rendit. Çfarë rëndësie kanë ato për Kosovën?

Këto dy marrëveshje janë të një rëndësie të veçantë, aq më parë kur njëri prej parakushteve për procesin e liberalizimit të vizave është marrëveshja e riatdhesimit, edhe pse kjo na krijon sfida. Mirëpo ne falënderojmë qeverinë gjermane dhe ministrin de Maiziere në veçanti që kishte mirëkuptim, që ne do ta kryejmë bazën ligjore, por do të jenë të kujdesshëm dhe nuk do të çojnë grupe të mëdha, në mënyrë që me kapacitet tona të vogla, që kemi, t'i akomodojmë si duhet. Ata premtuan po ashtu që procesi i kthimit do të përcillet edhe me ndihma financiare për këto familje, kështu që do t'ju krijojë një mundësi shtesë, që ata të fillojnë një lloj biznesi të vogël, bashkë me ministritë tona dhe me ligjin për riatdhesim, që është duke u përfunduar, do të koordinohemi së bashku me komunat për integrimin e tyre.

Marrëveshja e riatdhesimit prek afro 14 900 persona, që jetojnë në Gjermani. Afro 10.000 syresh janë romë, ose ashkalinj, ku do t'i vendosni ata?

Siguria nuk është më pengesë, as arsyet politike. Tash është një klimë krejt tjetër, edhe përsa i përket komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, nëse për shkaqe të ndryshme një familje, ose dy në një vend të vogël nuk e ndjejnë veten mirë, ka mundësi që këta të vendosen në kolektivitete më të mëdha. Në këtë drejtim do të jemi fleksibël. Pak më problematike është gjendja e të rinjve, të cilët e kanë filluar shkollën në Gjermani dhe do ta kenë të vështirë të adaptohen atje. Ne mund të ofrojmë shkollim në gjuhën shqipe, ose serbe, ndërsa shkollat e tjera në gjuhën anglishte, ose gjermane ekzistojnë, por ato janë private. Por do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për ta në bashkëpunim me ministrinë e arsimit.

Sa janë shanset reale, që romët të kthehen sërish në vendbanimet e tyre, siç është për shembull Mëhalla e Mitrovicës?

Në Mëhallën e Mitrovicës nuk ka pengesa. Problemi është më tepër i natyrës politike ose i interesit personal. Sepse një numër i madh i atyre që janë edhe nëpër kampe nuk kthehen, për arsye që ndërkombëtarëve t'u jepet një mesazh se gjendja e sigurisë ende nuk është e mirë, në mënyrë që të vazhdohet qëndrimi i familjarëve të tyre që i kanë në Gjermani apo shtete të tjera.

A nuk është kjo një arsye paksa e thjeshtuar?

Realisht ata e shfrytëzojnë për interesat e tyre dhe kjo e zbeh imazhin e Kosovës, e Kosova paguan një çmim, që realisht nuk është. Prandaj edhe me këto marrëveshje të riatdhesimit shumë gjëra do të legalizohen. Ne e tregojmë qartë, siguria nuk është arsye e kjo duhet thënë hapur, problemet janë të natyrës ekonomiko-sociale. Kushtet e banimit nuk janë problem. Problem është punësimi. E këtë problem ne duam ta zgjidhim në bashkëpunim me ndërkombëtarët, që të hapim biznese të vogla, ku mund të punësohen si romët, ashtu edhe shqiptarët. Të mos jetë vetëm për komunitetin rom, sepse atëherë krijohet irritim dhe mund të ketë edhe raste racizmi.

Ju thatë se nënshkrimi i marrëveshjes është një parakusht edhe për liberalizimin e vizave. Kur pritet që liberalizimi i vizave të vijë edhe për shtetasit kosovarë?

Këtë vit ne do të përmbushim shumicën e kushteve teknike për liberalizim, siç është menaxhimi i integruar i kufijve, marrëveshjet për riatdhesim dokumentet dhe pasaportat biometrike të një sigurie të lartë. Këto janë tri kushtet kryesore, pos të tjerave. Unë kërkova edhe prej Gjermanisë që të bëjë lobim tek pesë shtetet që nuk na kanë njohur, që të mos na bëjnë pengesa për liberalizimin e vizave. Në se shkon çdo gjë mirë, atëherë data më optimiste është në vitin 2011, optimale ndoshta në vitin 2012.

Një çështje tjetër. Zoti Feith kishte kërkuar së fundi nga qeveria e Kosovës, që ta luftojë korrupsionin jo vetëm me fjalë, po me vepra. Çfarë vepra do të ndërmerrni ju në ministrinë tuaj për luftimin e këtij fenomeni?

Një segment shumë i fuqishëm për luftën kundër formave të ndryshme të krimit e të korrupsionit është në këtë ministri. Nuk ka kurrfarë pardoni e nuk ka të paprekshëm në këtë proces. Kjo është e ndërlidhur edhe me sektorin e gjyqësisë. Ne shpresojmë se do të jemi më të suksesshëm në këtë fenomen, edhe pse mrekulli s'mund të bëjmë, por të fillojmë në binarë të rregullt dhe t'u jepet mesazhi atyre, që janë të involvuar në krim, që nuk janë më të paprekshëm. Do të fillojë të funksionojë ligji dhe çdonjëri do të përgjigjet për detyrat e veta.

A do të ketë kjo luftë konsekuenca të mëtejshme në stafin e ministrisë?

Ne kemi tani inspektoratin, i cili do të ndihmojë denoncimin e veprave penale dhe dënimin e pjesëtarëve të policisë, që janë të lidhur me krimin. Sa i përket stafit tjetër, në ministri unë nuk do të bëj ndryshime të mëdha, përveç këshilltarëve, që më nevojiten mua.

Austria dhe Gjermania kanë filluar një projekt të ri bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor plus Turqinë e ku përfshihet edhe Kosova dhe Serbia. A ekziston një shans, që të ketë një bashkëpunim të drejtpërdrejtë për luftimin e krimit?

Është në interes të të gjithëve, që të luftohet krimi, trafikimi dhe parandalimi i trafikut, emigracionit ilegal dhe natyrisht ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për këtë edhe aty, ku është Serbia, por ne mund të japim kontributin tonë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran e në asnjë mënyrë nën rezolutën 1244, siç kërkon Serbia.

DVelle

KOMENTE