English

I vetmi krim që ka bërë PS

Dhe nga ana tjetër Policia e Shtetit rreh përfaqësuesit e PS se kanë bërë të vetmin krim që demonstrojnë kundër qeverisjes së tyre

Nga Gramoz Ruçi*

Kryetar i Grupit Parlamentar të PS

Ja ku jemi këtu para një parlamenti që na ka mbyllur derën. Kjo maxhorancë që vodhi votat, kjo maxhorancë që nuk lejon të bëhet transparenca, kjo maxhorancë që po uzurpon institucionet e pavarura.

Kjo maxhorancë që po deformon shtetin e së drejtës, kjo maxhorancë më së fundi dhunoi opozitën duke i mbyllur gojën.

Pra kjo maxhorancë që luftoi të përçajë opozitën, kjo maxhorancë që luftoi të shesë apo të blejë opozitën, kjo maxhorancë më së fundi vendosi t'i mbyllë gojën opozitës.

Ja pse ne jemi këtu. Ja pse ne e quajmë dënimin e kolegëve tanë një dënim politik që i bëhet fjalës së lirë të opozitës.

Ja pse ne jemi në të katërt anët e Shqipërisë me qytetarët shqiptarë, që janë ngritur për të drejtën e votës, për të drejtën e punës, për mirëqenien dhe në luftë kundër varfërisë.

Dhe nga ana tjetër Policia e Shtetit rreh përfaqësuesit e PS se kanë bërë të vetmin krim që demonstrojnë kundër qeverisjes së tyre.

Ja pse ne do të jemi në datën 30 prill në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të demonstruar me të gjithë popullin opozitar për votën e lirë, për transparencën, për fjalën e lirë dhe për luftën kundër varfërisë.

Më lejoni që të ftoj të gjithë kolegët deputetë socialistë që të mbajnë 1 minutë heshtjeje për fjalën e lirë të ndaluar nga kjo maxhorancë ilegjitime.

Opozita shqiptare nuk do të tërhiqet në asnjë moment dhe për asnjë çast për votën e lirë, për fjalën e lirë, për transparencën dhe për luftën kundër varfërisë.

(*) Fjala e mbajtur sot para Parlamentit

KOMENTE