English

Protesta e PS në Këlcyrë: Pushteti po kërcënon për bukën e gojës

Këlcyrë, 15 Prill NOA - Protestat e opozitës kanë vijuar në Këlcyrë të Përmetit, ku qytetarët e kësaj zone kanë ngritur shqetësime për varfërinë, jetesën shumë të shtrenjtë, papunësinë e cila është thelluar, si edhe për largimet masive nga puna për shkak të politizimit të administratës lokale dhe qendrore. Ka qenë deputetja e kësaj zone Arta Dade, e cila ka mbështetur këtë protestë. Gjatë fjalës së saj deputetja socialiste u shpreh se në këtë zonë të varfër si demokratë dhe socialistë vuajnë po njësoj, vuajnë rritjen e çmimeve, vuajnë papunësinë, vuajnë pasigurinë për jetën.

Prandaj ka vazhduar ajo ne do të protestojmë në çdo qytet, në çdo bashki, në çdo rrugë dhe nuk do tërhiqemi nga beteja jonë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Shqiptarët, - tha Dade, - nuk e votuan Berishën për t'i qeverisur. "Ka shumë probleme, të cilat kjo qeveri jo vetëm nuk mund t'i zgjidhë, por i ka thelluar", tha deputetja Dade gjatë protestës dhe shtoi:

"Është e vërtetë dhe është fakt i pakontestueshëm që Shqipëria, por edhe Këlcyra, edhe Përmeti dhe i gjithë qarku i Gjirokastrës janë shumë herë më keq sesa ishin para zgjedhjeve të 28 qershorit. Papunësia është thelluar. Ju e dini shumë mirë, edhe vetë e keni pësuar, që kush ishte komisionerë për opozitën janë hedhur në rrugë. U kanë hequr bukën e gojës edhe punonjësve të pastrimit, janë hequr punonjësit e mirëmbajtjes së rrugës, vetëm për arsye se kanë përfaqësuar opozitën".

Në këtë pikë, Dade shtroi pyetjet: "Është kjo demokracia që ne kemi luftuar dhe kemi punuar të gjithë? Është kjo demokracia që ne duam?".

Kurse ka vlerësuar se "është për këtë arsye që ne do vazhdojmë të protestojmë, nuk do tërhiqemi nga beteja jonë për transparencën e zgjedhjeve sepse ajo është themeli i shoqërisë demokratike. Është pikërisht ky themel që është rrënuar nga qeveria e Sali Berishës".

Dade tha se shqiptarët në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 nuk e votuan Sali Berishën, prandaj Sali Berisha i vodhi votat sepse e di shumë mirë që populli nuk e voton. Protestat tona, në çdo qytet, në çdo bashki, në çdo rrugë padyshim që i shkurtojnë ditët politike Sali Berishës.

"Jam e bindur që dhe këtu, demokratë dhe socialistë vuajnë po njësoj, vuajnë rritjen e çmimeve, vuajnë papunësinë, vuajnë pasigurinë për jetën. A nuk dëgjojmë çdo ditë një vrasje, një humbje jete? A nuk është çdo element i jetës sonë i kërcënuar me pushtetin e Sali Berishës? A nuk është pasuruar familja e vet në kurriz të taksapaguesve të Shqipërisë? Frika tregon që Sali Berisha i ka ditët të numëruara, koha punon për ne sepse është në të drejtën tonë të kërkojmë transparencë. Ai që nuk ka vjedhur tregon xhepat dhe jep prova që nuk ka vjedhur", - përfundoi Dade.

e.r/NOA

KOMENTE