English

Shpërndanin drogë në gjimnazet e Korçës, kapen dy ish-të dënuarit

Korçë, 15 prill, NOA - Shpërndanin lëndë narkotike në shkollat e mesme dhe lagjet e ndryshme të qytetit të Korçës, por janë zbuluar nga forcat e policisë dhe janë vënë menjëherë në pranga.

Bëhet fjalë për të rinjtë me emrat Arten Zallemi dhe Olger Shahinaj, të lindur dhe banues në Korçë; që të dy të dënuar më parë për veprat penale "Trafik i lëndëve narkotike" dhe "Kultivimi i Bimëve Narkotike".

Arrestimi i tyre u bë këtë radhë për konsumimin e veprës penale të "Prodhim dhe Shitje e lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin shisnin drogë të llojit marijuanë dhe heroinë në shkollat dhe lagjet e Korçës.

Nga kontrolli i ushtruar, atyre iu gjetën 14.2 gr heroinë dhe 79.8 gr marjuanë, 1 peshore elektronike, 5 aparate celulare dhe një sasi e konsiderueshme lekësh.

Materialet i kaluan prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE