English

Cërriku, protestë për ujin e pijshëm

Cërrik, 16 prill, NOA - Një tjetër protestë është zhvilluar sot në qytetin e Cërrikut, e cila mbështetej nga deputetët e Partisë Socialiste, Shegush Ligori dhe Agim Leka.

Banorët e kësaj zone kanë kërkuar që qeveria të mos e lërë Cërrikun pa investime dhe pa ujë të pijshëm dhe kanë kërkuar që ndërmarrja e ujësjellësit e Elbasanit të mos vazhdojë më të jetë një sipërmarrje "mafioze".

Nga ana e saj, deputetja socialiste Shegush Ligori u shpreh se qeveria e Berishës nuk i ka dhënë asnjë lek investime qytetit të Cërrikut për vitin 2010, sepse është një bashki socialiste.

Më tej, ajo ka nënvizuar se me asistencën që jep kjo qeveri, qytetarëve nuk i mjaftojnë as për bukën e gojës, prandaj i ka ftuar ata në datën 30 prill të jenë të gjithë në Tiranë për të protestuar kundër asaj që ajo e ka quajtur "keqqeverisje".

Ndërsa deputeti Agim Leka është shprehur se Cërriku është qyteti më i varfër në qarkun e Elbasanit dhe se "kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më kështu e vetëm me protesta ajo mund të largohet".

n.e/NOA

KOMENTE