English

Inter thyen Barçën

Milano, 21 Prill NOA - Një ndeshje me të vërtetë fantastike ishte ajo që zhvilloi ditën e djeshme ekipi i zikaltërve të Interit në sfidën që kishin me Barcelonën, e vlefshme për Ligën e Kampionëve.

Djemtë e Murinjos arritën të mundnin kampionët e Evropës me rezultatin e thellë 3 me 1.

Inter mundi të kthente rezultatin pasi të parët që kaluan në avantazh ishin spanjollët të cilët në minutën e 19 të pjesës së parë shënuan me anë të Pedros.

Më pas zikaltërit u përgjigjën menjëherë ku vetëm pas dhjetë minutash ata barazuan shifrat me Sneijder dhe më pas në fundin e pjesës së parë kaluan në avantazh falë golit të Maicon.

Pjesa e dytë do të sillte dhe një gol tjetër për Interin, ku në minutën e 61 të garës Milito i çoi në tre shifrat e golave të shënuar nga ekipi i tij, ku lojtari në fjalë ishte dhe autori i dy pasave të cilat çuan në shënimin e dy golave të parë.

Për Barçën, presioni që ushtroi në fundin e ndeshjes, nuk pati vlera pasi spanjollët nuk arritën dot të ndryshonin këtë rezultat.

Tashmë të gjithë janë në pritje të ndeshjes së kthimit ku Inter është disi më i favorizuar për të qenë ekipi i parë finalist.

r.b/NOA

KOMENTE