English

Berisha: Krijimi I Aku, Nje Hap I Rendesishem Drejt Procesit Te Integrimit Evropian

-Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit- TIRANE, 20 Maj/ ATSH/- Ngritja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) është një hap shumë i rëndësishëm përpara në proçesin e integrimit evropian, u shpreh sot paradite Kryeministri Berisha në inaugurimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Tiranë, ku merrnin pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, etj.. "Në tërësinë universale të standardeve, asnjë standard nuk është më i rëndësishëm, se sa ai i ushqimit, i ujit të përditshëm. Kështu që ky mision ka rëndësi jetike për çdo qytetar, për çdo familje, për shoqërinë në tërësi, për Shqipërinë në tërësi", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndërtohet mbi një koncept solid reforme, ku janë të shkrirë në një 5 inspektorate, ndërkohë që në tërësinë e 36 inspektorateve të vendit, së shpejti do të numërohen vetëm 11. Dhe kjo reformë, nënvizoi Berisha, "nuk synon aspak që të zbehë rolin e inspektimit, por synon ta bëjë atë serioz, të ndershëm dhe kompetent. Kjo reformë synon gjithashtu, që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, inspektoratet e vendit në tërësi, t'i nxjerrë nga arbitrariteti i tyre". Kryeministri Berisha shprehu besimin se punonjësit dhe drejtuesit e këtij institucioni, me punë, përkushtim dhe dije, do t'i japin këtij institucioni autoritetin më të madh dhe do ta shndërrojnë në një nga institucionet më serioze dhe më kompetente të vendit. Nga ana tjetër Kryeministri garantoi për mbështetjen e fuqishme të qeverisë, "në përmbushjen e këtyre detyrimeve thellësisht jetike për qytetarët shqiptarë. Siguria e ushqimeve është e lidhur më shumë se çdo gjë tjetër me sigurinë e shëndetit, me sigurinë e jetës". Duke u ndalur në punën që është bërë për ndërtimin e këtij institucioni, Berisha kërkoi "që inspektorët dhe punonjësit e tij, të kenë shkallën më të lartë të ekspertizës, por ne duam njëkohësisht që ata të kenë edhe shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe transparencës, në raport me prodhuesit e ushqimeve në mbarë vendin". Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për inaugurimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit vetëm pas 3-4 ditësh që Komisioni Evropian, ktheu përgjigjet apo shtoi pyetjet dhe sqarimet për Pyetësorin. Në këtë kontekst, shpjegoi ai, "kam mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga shpejtësia me të cilin reagoi Komisioni, i cili ka një tërësi punësh të pamata". Kjo do të thotë, theksoi ai, "që ne të interesuarit për të ecur sa më shpejt drejt këtij procesi duhet të bëjmë çdo gjë për ndërtimin dhe konsolidimin sa më solid të standardeve, të cilat na afrojnë me Bashkimin Evropian". Nga ana e tij Ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, u shpreh mjaft i entuziazmuar për ngritjen e një institucioni të tillë, mjaft të rëndësishëm edhe për arritjen e standardeve integruese drejt familjes evropiane. Për ngritjen e këtij institucioni KE ka financuar 10 milion usd/s.s./
KOMENTE