English

Ksera: Fëmijët, Prioritet Madhor I Programit Social

Festohet Dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë TIRANE, 20 Maj/ ATSH/- Dita Kombëtare e Jetimëve, 20 maji u përkujtua sot në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Shërbimi Social Shtetëror në Shtëpinë e Foshnjes Hana dhe Rozafa në Tiranë. Aktiviteti i shoqëruar me një koncert të artistik, përgatitur nga fëmijët e Shtepisë së Fëmijës "Zyber Hallulli" u ndoq nga Ministri i Punës, Spiro Ksera, Presidentja e Organizatës "Fëmijët Shqiptarë" znj. Liri Berisha dhe përfaqësues të institucioneve të shërbimeve sociale. Ministri i Punës u shpreh se "fëmijët janë jo vetëm në qendër të sistemit të përkujdesit social, por përbëjnë prioritet madhor të Programit Social të Qeverisë Berisha dhe politikave aktive e dinamike". Duke u ndalur tek institucionalizmi i fëmijëve, Ksera tha se "nuk mund të jemi të kënaqur që kemi fëmijë që jetojnë përkohësisht në institucione, sepse me gjithë përmirësimet e dukshme të kushteve në to, ato nuk janë forma më e mirë e shërbimit. Ndaj sfida jonë është që sa më pak fëmijë të kemi në institucione, aq më mirë është për fëmijët, shtetin dhe shoqërinë shqiptare." Më tej Ksera promovoi bashkëpunimin që Ministria dhe Shërbimi Social kanë filluar me një grup studentësh vullnetarë për të shërbyer në qendrat sociale. Janë rreth 100 studentë që do t'i bashkangjiten personelit të qendrave publike në të gjithë vendin, duke ofruar ndihmën e tyre, por edhe duke përfituar nga një eksperiencë e cila, do t'u hapë rrugët për të siguruar një punë në profesion kur të përfundojnë studimet. Presidentja e Organizatës "Fëmijët Shqiptarë" znj. Liri Berisha, vlerësoi politikat që u vijnë në ndihmë fëmijëve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ministrinë e Punës dhe institucionet e tjera, për përmirësimin e jetës së tyre. Gjithsej në qendrat publike për fëmijë në të gjithë vendin trajtohen 350 fëmijë të moshës nga 0-14 vjeç. Stafet e qendrave të fëmijëve bëjnë përpjekje që gjatë pushimeve fëmijët ta kalojnë kohën në mënyrë sa më të gëzuar, me qëllim që t'ua bëjnë më të lehtë edhe mungesën e familjes. Kategorisë së jetimëve aktualisht u ofrohet mbrojtje dhe përkrahje bazuar në Ligjin "Për Statusin e Jetimit", status që u jepet të gjithë personave me moshë deri 25 vjeç, jetimë biologjikë. Këtë status e përfitojnë 845 persona në të gjithë vendin. Jetimët trajtohen me prioritet në punësim, u ofrohet formim profesional falas, u mundësohet e drejtë studimi sipas aftësive, mbështeten me bursë të plotë dhe trajtime veshmbathjeje nga shteti për të gjitha vitet e shkollimit, trajtohen me ndihmë ekonomike pasi kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë filluar punë, si dhe shërbim mjekësor dhe transport falas. Një nga përfitimet në bazë të Statusit të Jetimit është vendosja e tyre me prioritet në institucionet e përkujdesit shoqëror. Tanimë, të gjitha shtëpitë e fëmijëve shkollorë janë pajisur me klasa informatike dhe nëpërmjet fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit dhe një projekt i Bankës Botërore, është investuar për rikonstruksionin dhe pajisjen e tyre me bazë materiale të nevojshme, duke përmirësuar kështu ndjeshëm kushtet që u ofrohen fëmijëve në to. Asistimi me profesionalizëm i etapave më të rëndësishme në jetën e fëmijës jetim, duke filluar nga sistemimi në institucion, dhënia në kujdestari dhe, së fundmi, kthimi në familjen biologjike (ose gjetja e një familjeje birësuese), janë ndër objektivat primare të punës së Shërbimit Social Shtetëror, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Birësimit (KSHB)./e.gj//n.m/
KOMENTE