English

METE: Në projektin e Korridorit VIII, të përfshihet edhe Kosova

Tiranë, 20 Maj, NOA – Politika e Italisë do të vazhdojë t’i japë rëndësinë e duhur bashkëpunimit mes saj, Shqipërisë dhe Maqedonisë me projekte të prekshme, sikundër është ai për Korridorin VIII.

Një fakt të tillë, ambasadori i i Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia, e theksoi gjatë fjalimit të mbajtur në një konferencë të posaçme për paraqitjen zyrtare të programit të mbështetjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të vendeve të Korridorit VIII.

Sipas tij, ky projekt është i hapur dhe për vendet e tjera të rajonit, që përshkohen nga Korridori VIII.

Ndërsa drejtoresha e Divizionit VII në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Italisë, Maria Concetta Pansini, paraqiti qëllimin strategjik të Italisë për bashkëpunimin ekonomik të vendeve, që përfshihen në projektin e lartpërmendur, duke theksuar se Italia është e gatshme të përfshijë në projektet e zhvillimit të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Kosovën.

Nga ana e tij, zv/ministri i ministrisë shqiptare të Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri, tha “rëndësia strategjike e Korridorit VIII shprehet qartë edhe në faktin se vetëm nga transporti i mallrave përfitohet një ulje kostosh e përgjithshme prej më shumë se 1 miliardë Euro”.

Ai i kërkoi më tej palës italiane edhe përfshirjen e Kosovës në projektet e zhvillimit të vendeve që konsiderohen se do të përshkohen nga Korridori VIII, duke e arsyetuar me faktin se tashmë investimet në infrastrukturën rrugore, portuale dhe energjetike praktikisht po lidhin qartë tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE