English

Rama-Berisha, sot në Strasburg për krizën

Tiranë, 20 maj, NOA – Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama, do të udhëtojnë sot drejt Strasburgut, ku i pret së bashku një darkë pune me palën evropiane, gjatë së cilës pritet të diskutohet dhe negociohet për krizën politike në vend.

Ata janë ftuar që të dy nga Martin Schulz, kryetar i grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian dhe Joseph Doul, kryetar i grupit të Partisë Popullore Evropiane, të cilët kanë parashikuar edhe një darkë për nder të tyre, duke i ftuar kështu të ulen të dy së bashku dhe të flasin për zgjidhjen e krizës politike aktuale.

“Me ftesë të zotit Joseph Doul dhe Martin Schulz, kryetar i grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian, kryeministri Berisha niset për në Strasburg, për të marrë pjesë në një darkë që shtrohet për kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë kësaj darke do të diskutohet gjerësisht mbi rrugët dhe mbi mënyrat për t’i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri”, - thuhet në njoftimin zyrtar të mbërritur dje lidhur me një fakt të tillë.

Ndërkaq, greva e urisë e ndërmarrë nga opozita që prej mbrëmjes së 30 prillit, u mbyll dje në orët e vona të natës, bashkë me të cilën u çmontua edhe detaji më i fundëm i saj dhe sot në mëngjes, makinat dhe qytetarët kanë qarkulluar të lirshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.

n.e/NOA

KOMENTE