English

Reportazh/ Gjirokastra, Qyteti I Ndërtuar Për Turizëm

GJIROKASTËR, 20 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Gjirokastra është ndërtuar për turizëm, por suksesi varet nga guximi për të menaxhuar vlerat që mbart qyteti i gurtë, mendojnë njerëzit e biznesit. Biznesmeni Bashkim Tola, dikur pronar i një kioske fast-food, tani menaxhon një hotel 7-katësh në lagjen "18 shtatori", në pjesën e poshtme të qytetit. Ai thotë se turizmi është produkt që duhet menaxhuar mirë, ndërsa turisti duhej të lëvizë në të gjithë hapësirat si mbret. "Vizitori duhet të gëzojë respektin e të gjithë banorëve që ndesh në rrugë, ndërsa operatorët duhet të jenë shërbëtorë", thotë Tola. Tola mendon se turizmi njëditor tashmë ka dalë jashtë mode. Sipas tij, banorët që jetojnë në zonën muzeale, duhej të ndërtojnë vet inisiativat dhe të investojnë për të përmirësuar infrastrukturën. Daniela Qiqi, pedagoge e degës së turizmit pranë Universitetit "Eqrem Çabej", thotë se perspektiva e turizmit në qytetin e Gjirokastrës është e qartë si kristali, mjafton dashamirësia e banorëve për të ecur përpara. "Në çdo vend të botës shteti të jep mundësinë, ashtu si i sëmuri që ka nevojë për serum. Më vonë, kur pacienti përmirësohet, duhet të ecë vet", shprehet Qiqi, që shton se vitet e fundit, Gjirokastra ka ndryshuar në sensin pozitiv. "Shumë banorë të Gjirokastrës kanë nisur të investojnë, sidomos në hoteleri. Nga një hotel familjar që ekzistonte dikur, tashmë kemi mbi pesë të tilla. Kjo është perspektiva e turizmit", pohon Qiqi. Për të, kontributi dhe programet e pushtetit vendor janë vendimtare. Odise Kote, drejtori i turizmit pranë Bashkisë së Gjirokastrës, thotë se turizmi është një përpjekje serioze për të bashkuar burimet njerëzore në dobi të zhvillimit ekonomik. "Turizmi pasuron qytetin dhe qytetarët", shprehet Kote. Ai nënvizon se resurset, energjitë, faktorët dhe talenti gjirokastrit nuk mungon. "Qyteti së bashku me kalanë e gurtë përbën një skenë natyrale madhështore dhe të pazëvëndësueshme për zhvillimin e turizmit kulturore", thotë Kote. Ai shton se klima e favorshme dhe mbështetëja e krijuar nga institucionet, i ka dhënë mundësi banorëve të jetojnë me të ardhurat nga sektori i turizmit. Kote thotë se Bashkia e Gjirokastrës, si gjeneruese ideve e ka përcaktuar turizmin si prioritet të zhvillimit ekonomik të qytetit. "Gjirokastra duhet të hyjë gjerësisht në funksion të turizmit. Unë besoj se gjirokastritët këtë mision e kanë kuptuar, duke e shumëfishuar investimin", pohon Kote. Mustafa Devolli, kryetari Dhomës së Tregëtisë në qytetin e Gjirokastrës, e cilëson restaurimin e zbatuar nga UNESCO në Qafën e Pazarit me vlerë 1.3 milionë euro nga buxheti i shtetit, si një ogur i mirë për zhvillimin ekonomik. "Është momenti të ballafaqohemi me trendin e kohës, me kërkesat e tregut rajonal dhe sfidat e një turizmi gjithëpërfshirës", thotë Devolli. Devolli shpjegon se përmirësimi i performancës turistike dhe promovimi i traditave do të rrisë vlerat e turizmit gjirokastritë. "Bizneset turistike, si hoteleri, restorante, artizanët, dyqane syveniresh, agjensi turizmi etj., duhet të investojnë një promocion agresiv në dobi të përmirësimit të imazhit turistik të qytetit të Gjirokastrës", sugjeron Devolli./ch/
KOMENTE