English

Ekon - Kriza Vullkanike Shkaktoi Pesë Miliardë Dollarë Dëme

PARIS, 27 maj /ATSH-MIA/ - Mbyllja e hapësirës ajrore në Evropë për shkak të reve vullkanike me origjinë nga Islanda i shkaktoi ekonomisë botërore një dëm prej pesë miliardë dollarësh, theksohet në raportin më të ri të kompanisë "Airbus". Studimi i zbatuar nga kompania "Oxford economics", e specializuar për parashikime ekonomike, tregoi se java e parë e krizës vullkanike i ka kushtuar ekonomisë botërore 4,7 miliardë dollarë dëme. Anulimi i rreth 5 000 fluturimeve deri më 24 maj, e rriti këtë shumë edhe pesë për qind. Sipas drejtorit të "Oxford economics" Adrian Cooper, retë vullkanike nuk u kanë shkaktuar dëme vetëm udhëtarëve dhe kompanive ajrore, por edhe tregtisë, investimeve, turizmit dhe prodhimit. Në Evropë, sipas ekspertëve, gjatë javës 15-21 prill janë kryer 100 000 fluturime më pak sesa javën paraardhëse. Humbjet e kompanive ajrore kanë qenë 2,2 miliardë dollarë, ndërsa humbjet e udhëtarëve mbi 1,6 miliardë dollarë. ''Gjatë javës së parë të krizës vullkanike, kur hapësira ajrore evropiane praktikisht u mbyll tërësisht, humbjet në SHBA kanë qenë 957 milionë dollarë, në Azi 517 milionë dollarë, në Evropë 2,632 miliardë dollarë dhe në Lindjen e Afërt 591 milionë dollarë'', theksohet në raport./ a.jor.
KOMENTE