English

Futboll-Merkato/ Klubet E Superligës Kërkojnë Përforcime Në Merkaton Verore

TIRANË, 27 Maj /ATSH- Gjergji Mima/. - Klubet e Superligës po kërkojnë të fuqizojnë organikën e ekipeve shqiptare të futbollit në merkaton verore. Një prej ekipeve që sezonin e ardhshëm do të luajë në Superligë është edhe skuadra e Elbasnit, e cila po kërkon lojtarë të rinj që t'ia vërë në dispozicion trajnerit Krenar Alimehmeti. Blerja e parë e Elbasanit në këtë merkato verore duket se do të jetë sulmuesi elbasanlli, Armando Sadiku, që shënoi 8 gola sezonin e kaluar me Gramozin. Nga Gramozi pritet të largohet edhe sulmuesi tjetër, braziliani Dos Santos, që shënoi 4 gola sezonin e kaluar, i cili do të kalojë te Besa. Gramozi, i rrëzuar tashmë në Kategorinë e Parë, është në pritje të ndonjë ndryshimi të skemës të kampionatit për sezonin e ardhshëm nga 12 në 16 skuadra. Ndërkohë, në këtë merkato verore priten edhe largime të futbollistëve shqiptare drejt kampionatëve të huaja. Një prej tyre është futbollisti 24-vjeçar i Tiranës, Tefik Osmani, i cili sipas drejtuesve bardheblu, ka oferta nga dy klube zvicerane, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për momentin. Më parë ai ka provuar të luajë për gjashtë muaj në kampionatin ukrainas me skuadrën e Metalurg Zaporishias, eksperiencë e cila nuk rezultoi shumë e sukseshme. Ndërkohë, skuadra e Vllaznisë është në kërkim të një trajneri. Sipas drejtuesve të klubit shkodran, deri tani flitet për një rikthim të Agim Canajt në krye të Vllaznisë. Canaj e ka drejtuar Vllazninë për 22 javë në sezonin 2008-2009, duke i siguruar asaj edhe kualifikimin. Canaj u shkarkua pas humbjes me Teutën (4-0) në javën e 22-të. Agim Canaj në stolin e Vllaznisë arriti ta kualifikojë skuadrën shkodrane në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, pasi eliminoi sllovenët e Koperit, duke sjellë në "Loro Boriçi" skuadrën e madhe italiane të Napolit. Ndërsa kandidatura tjetër është ajo e një tekniku brazilian të propozuar nga menaxheri shqiptar, Ilir Pelinku. Vllaznia e mbylli sezonin e kaluar në dështim të plotë dhe jashtë Europës, pasi humbi dhe ne finalen e Kupes se Shqiperise. /a.ke/
KOMENTE