English

Kosovë -Kuvendi I Komunës Së Mitrovicës Nesër Seancë Të Jashtëzakonshme Për Veriun

PRISHTINË, 27 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Komunës së Mitrovicës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme, "ku do të shqyrtohet gjendja e krijuar në veri pas paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve me 30 maj nga shteti fqinj Serbia, në këtë pjesë të Kosovës", njoftoi zyra e shtypit e komunës. "Për këtë është vendosur në seancën e së enjtes, ku këshilltarët komunalë në mënyrë unanime kanë vendosur që seancën e rregullt ta shtyjnë për të hënën për shkak të situatës së krijuar, ndërsa të premten të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku janë ftuar për të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati dhe koordinatori për implementimin e strategjisë për integrimin e veriut, Ylber Hysa", bëhet e ditur në njoftim. Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debati lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) për vendosjen në rend të ditës për seancën e sotme plenare si çështje urgjente për shqyrtim cenimin e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë./s.s./
KOMENTE