English

Ps: Historik Propozimi I Ke-Së Për Liberalizimin E Vizave Me Shqipërinë

TIRANË, 27 Maj/ATSH/.- Partia Socialiste e konsideroi sot 'historik', propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, ndërsa i bëri thirrje maxhorancës që në këto momente të lejojë transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit. "PS shpreh mirënjohjen e saj për KE-në, që propozoi sot heqjen e regjimit të vizave për qyetetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke e konsideruar të një rëndësie historike", tha në një deklaratë për shtyp deputeti socialist, Ditmir Bushati duke përshëndetur vendimin e marrë nga Kolegji i Komisionerëve të KE-së. "Hyrja në fuqi e këtij propozimi do ta bëjë dhe më konkrete perspektivën europiane dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën europiane", tha Bushati. Në deklaratën e saj, PS i kërkon qeverisë që të përmbushë pa humbur kohë kushtet e konsideruara si të papërmbushura ende nga KE-ja, që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet, etj. PS i bën thirrje maxhorancës që të demonstrojë përgjegjshmëri në këto momente historike duke lejuar transparecën kushtetuese të procesit zgjedhor të 28 qershorit, që do t'i jepte fund krizës politike përmes një zgjidhje të qëndrueshme. /a.s//n.m/
KOMENTE