English

PS-PD, kompromis për ligjet e NATO-s

Tiranë, 27 maj, NOA – Subjektet kryesore politike ende nuk kanë arritur të zgjidhin krizën politike që ka të bëjë me zgjedhjet, por kjo nuk i ka penguar të gjejnë konsensus për ligjet e komisionet parlamentare.

Komisioni i Sigurisë miratoi sot në dy projektligje që kanë të bëjnë me detyrimet që rrjedhin nga hyrja e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut Verior.

“Dy marrëveshjet në fjalë gjetën mbështetjen e deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, të cilët me shumicë votash i miratuan ato”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Shtypit të Kuvendit.

Dy projektligjet, përkatësisht “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e NATO-s “Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes” si dhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjellët të teknologjive sekrete në fushën e mbrojtjes dhe për të cilat është bërë aplikimi i patentës”, kanë të bëjnë me informacionin e vendeve anëtare të NATO-s dhe ruajtjen e tij.

Projektligjet janë prezantuar para deputetëve të dy forcave kryesore nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët njohën anëtarët e komisionit me përmbajtjen dhe qëllimin e dy marrëveshjeve.

Ndërkohë që me konsensusin e të dyja palëve, marrëveshjet janë miratuar edhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si dhe në Komisionin për Politikën e Jashtme.

m.xh/NOA

KOMENTE