English

Punimet Në Sheshin "Skënderbej" Devijojnë Trafikun E Tiranës

TIRANË, 27 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Trafiku i rënduar është rikthyer sërish sot në rrugët e kryeqytetit. Shkak për këtë janë bërë punimet që po kryhen në sheshin "Skënderbej". Bashkia e Tiranës ka njoftuar sot për ndryshimin e itinerarit të lëvizjes së automjeteve për të parë sërish sesi do të funksionojë qarkullimi rrugor me bllokimin e lëvizjeve në sheshin "Skënderbej". Sipas planit të Bashkisë, "sot makinat nuk mund të futeshin për në qendër nga rrugët kryesore, siç është rruga e Durrësit, rruga e Kavajës apo edhe rruga që vjen nga Stacioni i Trenit, por vetëm nga Gjykata e Lartë. Kjo ka sjellë edhe një trafik të rënduar në sheshin "Skënderbej", por edhe në arteriet kryesore të kryeqytetit, siç janë rruga e Kavajës, e Durrësit, të cilat kanë pasur një varg makinash. Kjo provë e Bashkisë bëhet për të inicuar më pas funksionimin e fazës së dytë të punimeve në sheshin "Skënderbej". Nga Bashkia ende nuk bëhet e ditur se sa do të zgjasë ky devijim, ndërkohë që punimet në sheshin "Skënderbej" në Tiranë janë shtrirë thuajse në çdo cep të tij, madje në hapësirat që rrethojnë qendrën. Në kuadër të fazës së dytë të punimeve, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash, të cilat lidhen me sigurimin e kantierit të ndërtimit, por edhe me akset rrugore që mundësojnë funksionalitetin e planit të lëvizjes./s.s./
KOMENTE