English

Sport-Superliga/ Kastrioti Siguron Superligën Mes Tensionit Dhe Dhunës

TIRANË, 27 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Një gol i sulmuesit Oriand Abazaj në minutën e tretë, i ka siguruar skuadrës së Kastriotit qëndrimin në Superligë edhe për një sezon. Në takimin e zhvilluar sot në stadiumin Kombëtar "Qema Stafa", Kastrioti fitoi 1-0 me Lushnjen pas 90 minutave mjaft të tensionuara. Kastrioti dhe Lushnja përballeshin në këtë takim play-outi për Superligën, pasi krutanët dolën të 15-ët në Superligë, ndërsa lushnjarët të 4-t në Kategorinë e Parë. Goli i Abazajt që në minutën e tretë, pas një gabimi të mbrojtjes lushnjare, ndezi atmosferën në "Qemal Stafa", duke bërë që në minutat në vijim ndeshja ka pasur më tepër momente të tensionuara sesa loje. Situata e tensionuar në kampin lushnjar e ka detyruar arbitrin e ndeshjes, Albano Janku, të nxjerrë nga fusha e lojës që në pjesën e parë fillimisht trajnerin e Lushnjes, Artan Bano dhe më pas edhe zëvëndësin e tij. Në pjesën e dytë gjendja ka qenë sërish e tensionuar, ku pas çdo minute që kalonte dhe çdo vërshëllime të arbitrit Janku, kishte kontestime nga të dyja kampet. Momenti më i tensionuar ka qenë në fund të ndeshjes, kur teksa lojtarët e Kastriotit po festonin fitoren me tifozët e tyre, lojtarët e Lushnjes kanë dashur ta prishin këtë festë, por forcat e shumta policore nuk kanë lejuar konfrontimin mes lojtarëve. Dje në Elbasan në ndeshjen tjetër të "play-outit" për Superligën, ku Skënderbeu fitoi 1-0 ndaj Kamzës, u regjistruan të njëjtat probleme dhune, që këtë vit kanë qenë të shpeshta në futbollin shqiptar./s.s./
KOMENTE