English

Tpi-Shtypi: Mlladiç Është Profesor Në Një Republikë Ish-Sovjetike

- Ish-gjenerali, sipas gazetës serbe "Kurir", është docent armësh bërthamore - BEOGRAD, 27 maj /ATSH-ANSA/ - Ratko Mlladiç, ish-komandanti i ushtrisë së serbo-boshnjakëve i cili kërkohet për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Penale e Hagës (TPI), "është gjallë dhe aktualisht po kryen profesionin e profesorit në një nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik", shkruan sot tabloidi serb "Kurir". "Ratko Mlladiç është gjallë, është mirë dhe punon si docent në një Akademi ushtarake në një nga ish-republikat sovjetike", ka deklaruar për tabloidin Kurir, Ratko Vuçetiç, i cilësuar nga gazeta si "një nga protektorët" e ish-gjeneralit serbo-boshnjak. "Prej pesë vjetësh Mlladiç jep mësim për armatimin bërthamor. Në atë vend e dinë të gjithë, por askush nuk mund të bëjë asgjë, mbi të gjitha ish-gjenerali mbrohet nga shërbimet sekrete franceze", shtoi Vuçetiç. Gazeta Kurir, që e boton në faqe të parë këtë lajm, ka publikuar edhe një fotomontazh në të cilin shfaqet Mlladiç me veshje ushtarake dhe me kësulën e profesorit universitar. Pak ditë më parë familjarët e Mlladiç njoftuan se do t'i kërkonin autoriteteve juridike serbe që të shpallnin zyrtarisht vdekjen e ish-gjeneralit, prej të cilit nuk ka më asnjë informacion prej vitesh. Gazeta serbe, e famshme për karakterin e saj radikal dhe të drejtpërdrejtë, ka sjellë shumë reagime skeptike nga disa eksponentë serbë. Kështu, prokurori special për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, e cilësoi artikullin si "një supozim të trilluar". "Nuk është absolutisht e vërtetë, po dëgjojë një gjë të tillë për herë të parë", deklaroi Vukçeviç cituar nga Kurir. Edhe Dusan Ignjatovic, kreu i Zyrës serbe për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, deklaroi se nuk i beson lajmit për Mlladiç. "Kjo histori është aq shumë joreale sa që askush nuk ka komente për të bërë", deklaroi ai. Asnjë koment nuk është bërë nga Rasim Ljajiç, edhe ky përgjegjës i Zyrës serbe për bashkëpunimin me TPI-në. Në korrik të vitit 2008 në Beograd u kap Radovan Karaxhiç, ish-kreu politik i serbëve të Bosnjes, edhe ky i kërkuar për gjenocid nga TPI-ja, i cili për vite me radhë ishte fshehur në kryeqytetin serb duke ndryshuar pamje dhe duke punuar si ekspert në mjekësinë popullore. Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, ish-kreu politik i serbëve të Kroacisë, janë dy serbët dhe kriminelët e fundit të luftës që TPI-ja i kërkon Beogradit ti dorëzojë para drejtësisë. Mlladiç akuzohet veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, qyteza boshnjake ku në korrik të vitit 1995, tetë mijë civilë myslimanë u masakruan nga serbo-boshnjakët. /e.v/
KOMENTE