English

USAID lançon programin për mbështetjen e eksporteve bujqësore

Tiranë, 27 Maj, NOA – USAID, i njohur në Shqipëri si program i ndihmës amerikane, prezanton “Programin e Zhvillimit të Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë Ushqimore”, iniciativë kjo që synon të nxisë investimet në tregtinë bujqësore.

Gjatë fjalës së tij, drejtori i programit të AAC/USAID, Juan Estrada-Valle tha se ky program përbën një mundësi për sipërmarrësit që aktualisht operojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë, për të përfituar njohuri rreth tregjeve ndërkombëtare agro-ushqimore dhe për të hyrë të parët në biznesin shqiptar të agro-eksporteve.

Veprimtaria në fjalë, u ndoq edhe nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, i cili u shpreh se "bashkëpunimi dhe zhvillimi i bujqësisë intensive bazuar në inovacione, është rruga drejt zhvillimit të bujqësisë shqiptare: niveli relativisht i ulët i konkurrencës së prodhimeve bujqësore shqiptare po na pengon depërtimin në tregjet me vlerë të lartë”.

Ai gjithashtu inkurajoi sipërmarrësit shqiptarë të investojnë në bujqësi, sidomos në sferën e eksporteve, e cila jo vetëm që do të rezultojë në sipërmarrje fitimprurëse, por gjithashtu do të asistojë hyrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Veprimtaria u ndoq nga më shumë se 100 investitorë shqiptarë dhe të huaj.

Bëhet me dijeni se Programi i Zhvillimit të Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë e Ushqimit do të zhvillohet në shtator të vitit 2010 dhe përmban seanca trajnimi intensive nga liderë globale të industrisë agro-ushqimore, i ndjekur dhe nga një vizitë studimore në kompanitë më të mëdha të zinxhirit të shitjeve me shumicë dhe pakicë në Bashkimin Evropian.

a.y/NOA

KOMENTE