English

Vizat/Kryetari I Ps-Së, Edi Rama, Letër Presidentit Të Ke-Së, Barroso

TIRANË, 27 Maj/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi sot nëpërmjet një letre Presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, që lëvizja e lirë e qytetarëve përmes liberalizimit të vizave të mos ndikohet nga kriza aktuale që po kalon Shqipëria. Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se në letër kryetari socialist i shpreh mirënjohjen Presidentit Barroso për propozimin që institucioni që ai drejton do t'i përcjellë Samitit të Sarajevës, vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë. Rama kërkon në këtë letër që "lëvizja e lirë e shqiptarëve të mos varet apo lidhet në asnjë mënyrë me çdo problem që Shqipëria ka sot për shkak të mungesës së transparencës dhe të kushtetueshmërisë, në një sërë aspektesh të administrimit të punëve të vendit". "Kjo periudhë do të jete vendimtare për vendin tim dhe liberalizimi pa kushte i vizave me Shqipërinë do të inkurajonte edhe kapërcimin e pengesave të vështira, me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale", thekson në letrën e tij kryesocialisti Rama./a.s/s.s./
KOMENTE