Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bregu: Procesi I Liberalizimit Te Vizave Perfundon Brenda 2010
English

Bregu: Procesi I Liberalizimit Te Vizave Perfundon Brenda 2010

- Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Bregu tha se pritshmëria e qeverisë shqiptare është që brenda vitit 2010 Shqipëria të fitojë edhe statusin e vendit kandidat në BE - TIRANE, 28 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një intervistë të premten për ATSH-në, u shpreh optimiste se "procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë brenda vitit 2010". Rekomandimi i Kolegjit të Komisionerëve për heqjen e vizave për Shqipërinë, sipas ministres Bregu, "është një vlerësim që i bëhet punës intensive të autoriteteve shtetërore për plotësimin e kushteve të kërkuara nëpërmjet udhërrëfyesit". Pyetjes nëse ndikon situata politike në vend në vendimin përfundimtar për heqjen e vizave, ministrja Bregu iu përgjigj se "nderkombëtarët vlerësojnë seriozitetin në përmbushjen e detyrimeve dhe ritmin e ecurisë së reformave kyçe për zhvillimin e vendit". "Besoj se kjo do të vlejë si ftesa më e mirë drejtuar kolegëve opozitarë për ta bërë politikën në parlament dhe për të luajtur rolin që u takon në proceset integruese të vendit", tha ajo. Ministrja e Integrimit tha se "pritshmëria e qeverisë shqiptare është që brenda vitit 2010 Shqipëria të fitojë edhe statusin e vendit kandidat në BE". - Si e vlerësoni rekomandimin e Kolegjit të Komisionerëve për heqjen e vizave për Shqipërinë? - Vendimin e KE-së për hapjen e dyerve për liberalizimin e vizave, përveçse një premtim të mbajtur të qeverisë, do ta cilësoja një vendim historik, një vlerësim që i bëhet punës intensive të autoriteteve shtetërore për plotësimin e kushteve të kërkuara nëpërmjet udhërrëfyesit. Është një premtim konstant i bërë nga maxhoranca që në fillim të ardhjes në pushtet, që u kthye në prioritet të axhendës së punës së qeverisë Berisha, së bashku me procesin e integrimit të vendit në BE. Shqiptarët ndodhen para realizimit të ëndrrës së hershme të tyre për të lëvizur lirisht në hapësirën e Shengenit, e meritojmë këtë sepse ne ndihemi qytetarë europianë. - Brenda çfarë afati kohor shqiptarët do të lëvizin lirisht pa viza në hapësirën "Shengen"? - Përsa i përket afatit se kur do të realizohet ky proces, siç u shpreh dhe komisionerja Malmstrom, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave mund të marrin vendimin pas pushimeve verore, pra ashtu siç edhe kemi premtuar, procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë brenda vitit 2010. Por mendoj se më e rëndësishme se muaji, është përgjegjshmëria që do të duhet të tregojmë në menaxhimin e kësaj lirie dhe padyshim edhe plotësimi i tri kushteve të vendosura. - Mendoni se Shqipëria do t'i realizojë në kohë 3 kriteret e përcaktuara nga KE, në mënyrë që të marrë një vendim pozitiv nga Parlamenti Europian dhe më pas nga Keshilli i Ministrave të Brendshëm? - Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Sikurse ka bërë deri tani, qeveria do të punojë me seriozitet maksimal për të përmbushur brenda një periudhe të shkurtër tri sugjerimet shtesë të Komisionit Europian: zhvillimin e një strategjie për të mbështetur riatdhesimin e emigrantëve të kthyer; përforcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe zbatimin me efektivitet të kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar. Kreu i qeverisë shprehu angazhimin maksimal për plotësimin sa më shpejt të këtyre tri pikave. - Vendimi për liberalizimin e vizave është marrë në një periudhë krize politike. Sa mendoni se ndikon kjo krizë në vendimin përfundimitar për vizat, por edhe në procesin e integrimit në BE? - Vetë fakti që Europa i hapi dyert Shqipërisë për liberalizimin e vizave, flet shumë. Ndërkombëtarët nuk marrin parasysh dhe as ndikohen nga kriza individësh të stisura, që ushqehen nga etja për pushtet, por vlerësojnë seriozitetin në përmbushjen e detyrimeve dhe ritmin e ecurisë së reformave kyçe për zhvillimin e vendit. Besoj se kjo do të vlejë si ftesa më e mirë drejtuar kolegëve opozitarë për ta bërë politikën në parlament dhe për të luajtur rolin që u takon në proceset integruese të vendit. - Kur mendoni se mund të përfitojmë statusin e vendit kandidat në BE? - Ajo që ka rëndësi në këtë process, është cilësia e tij, pasi në fund të fundit, të meritosh anëtarësimin në BE, do të thotë konsolidim i demokracisë në vend dhe shtetit të së drejtës. Qëllimi ynë kryesor është të mos lëmë asnjë ditë bosh për të bërë të mundur marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat. Përsa i përket afatit kohor, pritshmëria jonë është brenda vitit 2010, por gjithësesi Brukseli do të marrë kohën e nevojshme për të përgatitur Opinionin. Mund të ndodhë që Këshilli të marrë vendimmarrje për dy çështje ose vetëm për një: jepet statusi i vendit kandidat ose jo dhe jepet data për hapjen e negociatave ose jo. Mund të ndodhin të dyja, të jepet statusi dhe data e hapjes së negociatave ose njëra prej tyre. Vlerësoj si tepër povitiv faktin që përgjigjet e Pyetësorit janë lexuar në kohë rekord dhe pyetjet shtesë kanë ardhur brenda vetëm një muaji. Nëse e krahasojmë me vendet e tjera, është dashur periudhë më e gjatë: për shembull Mali i Zi, i ka marrë pyetjet shtesë dy muaj e gjysmë pas dorëzimit të materialit, ne i morëm vetëm një muaj pas dorëzimit të pyetësorit. Kjo do të thotë se materiali nuk ka pasur problematika për t'u perceptuar nga ekspertët e Komisionit Europian. Shpresojmë që edhe përgjigjet e pyetjeve shtesë që do t'i dorëzojmë më 10 qershor, të jenë të sakta dhe cilësore./s.s./
KOMENTE