English

Këshilli Bashkiak I Tiranës, Shtyhet Sërish Shqyrtimi I Buxhetit Të Vitit 2010

Ë, 28 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Këshilli Bashkiak i Tiranës shtyu sot në mbrëmje për një datë tjetër, diskutimin dhe miratimin e projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2010. Shkak për shtyrjen e sotme është bërë mungesa e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, për asrye personale. Në vend të tij mbledhjen do ta drejtonte nënkryetari Petraq Simo, por këshilltarët e Partisë Demokratike nuk qenë dakord me këtë vendim dhe kërkuan shtyrjen e mbledhjes. Sipas kryetarit të grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni, diskutimi i projektbuxhetit është mjaft i rëndësishëm për qytetarët e Tiranës dhe sipas tij, mbledhjen duhet ta drejtojë kryetari. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga ana e këshilltarëve socialistë, të cilët kanë insistuar që administrata e bashkisë të prezantojë buxhetin e vitit 2010 para Këshillit Bashkiak të Tiranës, pavarësisht mungesës së kryetarit të Këshillit Bashkiak. Gjithsesi, tashmë i mbetet administratës së bashkisë të vendosë një datë tjetër për mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Tiranës. Kjo është e treta herë që shtyhet diskutimi dhe miratimi i projektbuxhetit të bashkisë së kryeqytetit. Shkelja e afateve ligjore për miratimin e buxhetit të Tiranës për 2010-n, do të pasohet me ndikime negative në realizimin e investimeve të planifikuara në kryeqytet, pasi vonesat do të reflektohen edhe në zhvillimin e tenderave për projektet e ndryshme. Edhe vjet, miratimi i buxhetit të kryeqytetit kaloi me probleme të shumta, kur pas debateve dhe konflikteve të njëpasnjëshme për përmbajtjen e zërave të buxhetit, këshilli bashkiak nuk e miratoi, duke tejkaluar limitet kohore të përcaktuara sipas ligjit për miratimin e projektbuxhetit. Më pas çështja i kaloi prefektit të Tiranës, i cili e kaloi problemin në gjykatë për formën e hyrjes në fuqi të buxhetit të 2009-s./s.s./
KOMENTE