English

Dhuna në familje, OJF: Shteti t’i asistojë falas viktimat

Tiranë, 4 qershor, NOA - Tetë organizata jofitimprurëse që punojnë në mbarë vendin me viktimat e dhunës në familje i kërkojnë qeverisë të zbatojë ligjin për masat ndaj dhunës. Sipas njërës prej drejtuesve të Shoqatës për Këshillimin e Grave dhe Vajzave në qytetin e Elbasanit, Shpresa Banja, sipas ligjit, viktimat e dhunës në familje duhet të përfitojnë falas asistencën ligjore nga shteti. Por deri tani kjo nuk ka ndodhur.

“Kostoja e një gruaje që kërkon të divorcohet për shkak të dhunës po rritet nga viti në vit dhe kërkesë padia ndaj dhunës sot është 9 mijë lekë të reja. Pa llogaritur shpenzimet për psikologun dhe në total i gjithë procesi gjyqësor që duhet të hapë një grua e divorcuar ka një kosto prej 30 mijë lekë të reja. Ne po negociojmë me qeverinë që viktimave të dhunës t’u ofrohet falas asistenca ligjore”, shprehet drejtuesja e OJF.

Kjo kërkesë e OJF është pranuar dhe nga ministria e Punës. Përfaqësuesit e saj në një tryezë me organizatat jofitimprurëse thanë se do t’i kërkojnë ministrive të linjës të organizojnë takime e të përcaktojnë qartë buxhetin që do akordohet për çdo objektiv të strategjisë, nëse është i mundur të realizohet apo jo.

Një tjetër pikë e ligjit për masat ndaj dhunës në familje është dhe ngritja e një strehëze për viktimat. Por përfaqësuesja e shoqërisë civile thotë se deri tani një qendër e tillë nuk është ngritur ende në kryeqytet, ndërsa në Elbasan kapacitetet janë më të vogla se kërkesat e grave.

Sipas shoqërisë civile, vetëm në qytetin e Elbasanit strehohen 15 gra e vajza, viktima të dhunës në familje, në një kohë që numri I kërkesave për strehëzën po vjen gjithnjë në rritje.

Kritika për moszbatimin e ligjit ndaj dhunës në familje u bënë një ditë më parë dhe nga kryeministri Berisha. Sipas Berishës, ligji i hartuar është shumë i mirë por zbatimi duket ende larg.

Berisha i kërkoi Ministrisë së Punës të forcojë rreptësinë e ligjit për të rritur numrin e denoncimeve të viktimave të dhunës. Sipas të dhënave më të fundit që raporton “Amnesty International”, gjatë vitit 2009, janë denoncuar në prokurori rreth 990 padi kundër dhunës në familje.

b.a/NOA

KOMENTE