English

Stina E Verës- Masa Për Mbajtjen Nën Kontroll Të Cilësisë Së Ujit Të Pijshëm

TIRANË, 18 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Situata e ujit të pijshëm, sa i takon sigurisë higjieno-sanitare, është nën kontroll të plotë nga ana e strukturave shëndetësore, ndërkohë që me ardhjen e verës, kur rreziku për ndotjen shtohet, specialistet këshillojnë marrjen e masave nga ujësjellësat dhe vetë qytetarët. "Situata e ujit të pijshëm aktualisht është nën kontrollin e plotë sa i takon sigurisë higjieno- sanitare nga ana e Institutit të Shëndetit Publik, por dhe ujësjellësit e pushtetit lokal, në varësi të cilit është ujësjellësi", tha sot për ATSH-në drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Si dikaster qendror për shëndetin, detyra e MSH është monitorimi i ujit përgjatë 24 orëve, veçanërisht në pikat e tij fundore sa i takon klorit rezidual dhe ngarkesës mikrobike. Por, me ardhjen e stinës së verës dhe rritjen e rrezikut për ndotjen e ujit të pijshëm, organet përgjegjëse kanë intensifikuar masat për mbajtjen nën kontroll të cilësisë së tij, ndërsa apelojnë që dhe vetë qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm. "Në periudhën e verës, në zona të caktuara, si zonat bregdetare të mbipopulluara, sasia e ujit nuk vjen në përputhje me nevojat e qytetarëve, duke krijuar boshllëk gjatë ditës, zgjatje të orareve gjatë të cilave nuk ka ujë të rrjedhshëm në rrjet", u shpreh Pipero. Sipas tij, "për shkak të kushteve fizike të vakumit në ujësjellës mund të ndodhin ndotje të rrjetit, ndaj dhe këshilla për ujësjellësat është që sasia e klorit që hidhet në ujësjellës për të mirëmbajtur dhe mbajtur nën kontroll ndotjen mikrobike". Në këtë periudhë, survejanca e organeve shëndetësore disafishohet në aspektin e marrjes së mostrave, monitorimit të vazhdueshëm dhe sistemit të alertit, çka do të thotë njoftim në kohën e duhur të ISHP dhe MSH. Sa i takon qytetit të Tiranës, aktualisht nuk ka ndonjë pikë fundore të ndotur, megjithatë potencialisht rreziku ekziston në në pjesë të konsiderueshme të rrjetit, për shkak të amortizimit, apo ndërhyrjeve të paligjshme etj. "Survejimi mbi pikat fundore dhe mbi të gjithë rrjetin është disafishuar, përfshirë dhe gjithë masat që marrim për të rritur sasinë e klorit, por dhe monitorimin 24 orë të pikave fundore të ujit", nënvizoi Pipero. Sa i takon depozitave të ujit në ujësjellës, ai bëri me dije se janë marrë masa në kohë që të jenë të pastruara dhe të dezinfektuara brenda standardeve. Por, shqetësim përbëjnë dhe depozitat e qytetarëve, të cilat duhen pastruar herë pas here. "Depozitat duhet të mbushen e të zbrazen, të disinfektohen me klor, pasi, duke qenë se temperaturat rriten, duke qenë se uji mund të qëndrojë ndonjëherë më shumë se 24 orë në depozitë pa qarkulluar, ekziston mundësia që edhe të zhvillohen mikrobe apo agjentë patogjenë", tha Pipero, duke këshilluar qytetarët t'i pastrojnë dhe desinfektojnë me klor ato. Ndërkohë, strukturat shëndetësore kanë bashkëpunim mjaft të mirë dhe efektiv me ujësjellësin, për të mbajtur të sigurtë ujin e pijshëm. Në vend operojnë rreth 55 sh.a.Ujësjellës -Kanalizime, të cilat prodhojnë rreth 242 milionë m3 ujë të pijshëm në vit. /a.ke/
KOMENTE