English

Sezoni Veror- Kërkesa Më Të Forta Për Plotësimin E Standardeve Higjieno-Sanitare Në Pishina

TIRANË, 20 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Me fillimin e sezonit veror, organet shëndetësore kanë nisur intensifikimin e kërkesave ndaj subjekteve ofrues të shërbimeve për pushuesit në plazhe dhe pishina, me qëllim plotësimin e standardeve higjieno-sanitare. Nga ana tjetër, drejtues të shëndetësisë apelojnë për të gjithë qytetarët që dhe ata vetë të tregohen të kujdesshëm për higjienën personale dhe mjedisit ku ata pushojnë. Drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shnëdetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha sot për ATSH-në se "organet e Inspektoriatit Sanitar këtë vit do të jenë më të kujdesshëm, më rigoroze dhe kërkues ndaj plotësimti të standardeve higjieno- sanitare, detyrimit që subjektet privatë apo shtetërore, kanë në shërbim të qytetarëve". Po kështu, Pipero këshillon pushuesit në plazhe dhe pishina "të bëjnë kujdesin maksimal për higjienën personale dhe mjedisin ku ata pushojnë". Shpesh here, edhe pse kujdesi ndaj plazheve dhe pishinave, objekteve në to si, shezlongët, është maksimal, kujdesi që tregojnë pushuesit është minimal dhe lë për të dëshiruar. Në mjaft raste, në plazhe gjen mbeturina që hidhen kudo, shishe që thyhen e lihen gjithandej, çka do të thotë që vetë pushuesit kontribuojnë në rrezikimin e shëndetit të tyre. "Ata duhen të kenë kujdes në radhë të parë për shëndetin e tyre, çka është njëherësh dhe detyrimi ynë, por duhet të kujdesen dhe ata vetë, që ndihma jonë e specializuar shendetesore të jetë më efektive", nënvizon Pipero. /a.ke/
KOMENTE