Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Hapet Ankandi Për Eurobondin 25 Milione Euro
English

Hapet Ankandi Për Eurobondin 25 Milione Euro

-Banka e Shqipërisë njofton se eurobondi do të ketë një afat maturimi 9 mujor. Pjesëmarrëse për të dhënë ofertat e tyre do të jenë 16 bankat që operojnë në vend- TIRANE, 28 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Banka e Shqipërisë zhvilloi sot ankandin për shitjen e eurobondit me vlerë 25 milionë euro, që do të ketë një afat maturimi (kthimi) prej 9 muajsh. Gara është e hapur për 16 bankat tregtare që operojnë në vendin tonë. Ato do të bëjnë ofertat e tyre dhe do të përzgjidhen bankat që do të japin interesin më të ulët. Sipas Bankës Qendrore, data e maturimit të eurobondit të brendshëm ose ndryshe dita kur qeveria do të marrë 25 milionë euro nga bankat që do të financojnë këtë eurobond është 30 qershori. Ndërkohë burime zyrtare nga Ministria e Financave bënë të ditur se do të synohet që të sigurohet një normë interesi më e ulët se 7.5 për qind, që është interesi i miratuar nga parlamenti shqiptar për eurobondin, që do të emetohej në tregjet financiare ndërkombëtare me vlerë deri në 400 milionë euro. "Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm dhe në përputhje me strategjinë tonë për të rritur fleksibilitetitin e huamarrjes, për të diversifikuar burimet e financimit dhe sigurimin e një pjese të tij në euro, (kuptohet, pa rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat), do të shohim mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro", shprehet Xhentil Demiraj, drejtor i përgjithshëm i Borxhit në Ministrinë e Financave. Sipas drejtuesve të këtij dikasteri, procesi i emetimit të eurobondit të brendshëm do të jetë transparent dhe do të bëhen publike të gjitha fazat e përzgjedhjes së bankave fituese, të cilat do të mundësojnë këtë borxh. "Do të ndiqet e njëjta procedurë transparente si në rastin e procesit të eurobondit në tregjet financiare ndërkombëtare, ku u bënë publike bankat e përzgjedhura dhe çdo hap tjetër i këtij procesi. Padyshim që do të synohet norma më e ulët e interesit, nën 7.5 për qind, që është interesi i kërkuar për eurobondin në tregjet financiare ndërkombëtare", shprehet Elvi Fundo, zëdhënës në Ministrinë e Financave. Sigurimi i këtij borxhi nga bankat vendase do të ndihmojë buxhetin e shtetit për financimin e projekteve që kanë nisur tashmë. Në këtë mënyrë, do të injektohet në ekonomi edhe një sasi e konsiderueshme valute, që do të ketë një ndikim pozitiv në kursin e këmbimit. Eurobondi i brendshëm do të ketë vlerën e 25 milionë eurove dhe një afat maturimi prej 9 muajsh. Për sa i përket normës së interesit, ajo pritet që të përcaktohet nga ofertat që do të japin 16 bankat që operojnë në vendin tonë. Bankat, të gatshme të financojnë qeverinë Bankat vendase shprehen të gatshme të financojnë qeverinë për këtë bono me vlerë 25 milionë euro. Bozhidar Todorov, drejtor i përgjithshëm i Fibank, është shprehur për mediat se eurobondi është një mundësi e mirë investimi për bankat në këtë moment, por nga tjetër mund t'i sigurojë qeverisë shqiptare një borxh me norma interesi të arsyeshme. Sipas tij, huamarrja e qeverisë shqiptare në këto shifra nuk cënon aspak kapacitetet huadhënëse për sektorin privat. Kjo edhe për shkak të shëndoshjes së vazhdueshme të gjendjes së depozitave të bankave. Nga të dhënat e Shoqatës së Bankave rezulton se niveli i depozitave në sistemin tonë bankar në fund të muajit prill arriti në 729.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 17 miliardë lekësh në krahasim me janarin 2010. Qeveria, e vendosur për eurobondin në tregun ndërkombëtar Qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga nisma e saj për të dalë në tregun financiar ndërkombëtar nëpërmjet emetimit të një eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, me normë interesi 7.5 për qind dhe afat maturimi deri në 5 vjet. Marrëveshja për këtë eurobond është miratuar tashmë nga parlamenti, por procesi i emetimit është shtyrë për shkak të situatës së vështirë në tregjet financiare ndërkombëtare. Pas shfaqjes së krizës greke, interesat në tregjet botërore u rritën, duke e vështirësuar sigurimin e këtij eurobondi në interesin e parashikuar në marrëveshje. Në këto kushte, qeveria shqiptare është në pritje që situata në arenën ndërkombëtare të stabilizohet dhe procesi i emetimit të eurobondit të realizohet me sukses. Pak javë më parë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se gjendja në tregjet botërore po ndiqet me kujdes, në bashkëpunim edhe me bankat J.P. Morgan dhe Deutsche Bank, që fituan tenderin për emetimin e eurobondit të parë shqiptar. Eurobondi do të përdoret për të shlyer kredinë tregtare me vlerë 300 milionë euro dhe interesa 11.5 për qind, të marrë vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës, ndërsa pjesa që mbetet do të shkojë për financimin e deficitit buxhetor. Huamarrja në përputhje me ligjin e buxhetit Ministria e Financave garanton se marrja e borxhit të ri te bankat vendase nuk prish balancat e borxhit të shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të këtij dikasteri, huamarrja e vitit 2010 vijon të kryhet në përputhje me Ligjin e Buxhetit për këtë vit. Sipas këtij ligji, deficiti vjetor prej 49.7 miliardë lekësh do të financohej nëpërmjet huamarrjes se Brendshme prej 39.6 miliardë lekësh dhe financimit të huaj nga kreditë e zhvillimit prej 10.1 miliardë. Deri më tani, huamarrja e brendshme ka arritur në 14.5 miliardë lekë apo 36 për qind e totalit të saj për gjithë vitin. Përgjithësisht, likuiditeti në tregun e brendshëm të bonove dhe obligacioneve vazhdon të mbetet i konsiderueshëm. Huamarrja e brendshme nuk ka cenuar aspak likuiditetin e bankave në dispozicion të sektorit privat. Çfarë janë bonot e thesarit? Bonot e thesarit janë instrument borxhi nëpërmjet të cilave qeveritë marrin hua mjete të lira monetare (para) nga publiku. Si çdo huamarrje kuptohet që edhe kjo formë krijon një raport dypalësh, Qeveria nga njëra anë dhe publiku nga ana tjetër. Në çdo raport secili nga palët realizon interesat e veta. Qeveria siguron fonde (krijon borxh) me të cilat kryen një pjesë të shpenzimeve të nevojshme dhe huadhënësit të cilët për huanë që japin marrin një interes të caktuar. /s.s/
KOMENTE