English

Rama:Ndryshimet Në Buxhet Do Ta Thellojnë Më Shumë Krizën

TIRANË, 20 Korrik/ATSH/.-Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, shkurtimi i buxhetit është një përpjekje e vonuar e qeverisë që nuk do të zgjidhë krizën në të cilën është futur vendi. Duke reaguar ndaj miratimit dje në parim të disa ndryshimeve në ligjin e buxhetit 2010, kreu i PS-së theksoi se shumë shpejt do të ketë shkurtim tjetër buxheti pasi qeveria do të jetë ngërthyer më keq nga kriza. "Qeveria nuk i doli përballë në kohën e duhur krizës. Kriza është shumë më e rëndë se sa na e tregojnë shifrat zyrtare. Në kutitë e mbyllura të ekonomisë mbahen të fshehura të dhënat e sakta nga Banka e Shqipërisë, INSTAT dhe qeveria", tha Rama. Ai shprehu shqetësimin për rëndimin gjithnjë e më tepër të situatës dhe shtrëngimin e lakut të krizës së gjithanshme për qytetarët. "Kur të dalë realiteti në dritë, Shqipëria do të tronditet si nga manipulimi i neveritshëm i Ruzhdies dhe i Ruzhdieve të tjera që rrinë të mbyllura në pritje të hetimit parlamentar", deklaroi kryetari socialist. Dje në mbrëmje, Kuvendi i Shqipëisë pas një seance maratonë që zgjati mbi 12 orë, miratoi në parim me votat e maxhorancës (71 vota), disa ndryshime në ligjin e buxhetit të vitit 2010. Opozita, e pranishme në debat, e kundërshtoi tërësisht draftin e qeverisë duke e cilësuar, një buxhet që thellon më shumë krizën ekonomike./a.s//n.m/
KOMENTE