English


Berisha:Qeveria E Vendosur Për Shtimin E Trupave Me Mision Luftarak Në Afganistan

- Gjatë ceremonisë përcjellëse të trupave paqeruajtëse shqiptare me mision luftarak në Afganistan - TIRANË, 28 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha shprehu sot vendosmërinë e qeverisë për shtimin në të ardhmen të trupave paqeruajtëse në misionet luftarake në Afganistan. I pranishëm në ceremoninë përcjellëse të 44 trupave të kontingjentit "Eagle" të Forcave të Armatosura, që do të përfshihen në operacionet luftarake në Kandahar, kryeministri Berisha shprehu bindjen se ata do të përmbushin me sukses të plotë misionin e tyre dhe me dinjitet do të mbajnë lart flamurin e kombit shqiptar. "Qeveria është e vendosur të mbështesë Forcat e Armatosura dhe dora-dorës, në kohërat që vijnë, të mund të shpaloset jo më një njësi, por dhe një batalion krah aleatëve tanë, aty ku të jetë nevoja", u shpreh kryeministri. Duke pranuar se trupat shqiptare shkojnë në një front të vështirë, Berisha u shpreh optimist për misionin e tyre në kuadrin e një Aleance, e cila nuk ka njohur dhe nuk mund të njohë kurrë gjë tjetër, përveç se fitore. "Ju shkoni në një komandë shkëlqyer dhe keni me vete mbështetjen, urimin, bekimin, jo vetëm të familjeve tuaja, por edhe të mbarë shqiptarëve kudo që janë", tha kryeministri Berisha. Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për qeverinë e SHBA-së dhe ndihmesën e çmuar të saj në përgatitjen e trupave paqeruajtëse shqiptare. Pas ceremonisë, kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të Kontingjentit të Parë, nënkolonel Dritan Demirajt dhe bëri një foto familjare me njësinë e ushtarakëve. Në ceremoninë e sotme ishin të pranishëm përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Tiranë Paul Poletes, drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare, familjarë të komandove, etj./n.m/
KOMENTE