English

Fullani: Ulja E Normes Bazë Të Interesit- Masë Për Rritjen E Kreditimit Dhe Investimeve

TIRANE, 28 Janar /ATSH-E.Xhajanka/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani bëri publike uljen me 0,25% të normës së interesit, e vendosur sot zyrtarisht nga Këshilli Mbikqyrës i saj. "Ne kemi folur edhe më parë për një zbutje. Masa është e duhura dhe do të japë stimulin përkatës për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit", tha Fullani , duke garantuar se BSH do të tregohet e kujdesshme për të patur nën kontroll edhe masën e inflacionit. "Nëpërmjet këtij vendimi krijohen shanse reale për aktivitetin ekonomik të vendit", tha z. Fullani, duke shtuar se ajo është në kontribut i drejtëpërdrejtë dhe për nxitjen e kreditimit si dhe ndihmon qëndrueshmërinë e mëtjeshme të ekuilibrave ekonomikë të vendit. Ulja e kësaj norme do të thotë se tashmë norma bazë e interesit të kredive do të jetë 5 për qind, nga 5.25% që ishte më parë. Pritet që këtë rast bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Ky vendim vjen pas shume sugjerimesh dhe diskutimesh nga eksperte te fushës, për uljen e normës bazë të interesit të kredisë, në kushtet kur inflacioni është nën kontroll dhe nuk pritet të japë efekt negative tek kursi i këmbimit. Politika lehtësuese monetare do të japë një frymëmarrje të re kreditimit në vend, i cili është ne ritmet e tij me te ulëta te viteve te fundit. Ulja e normës së kredisë në lekë do të bëjë teorikisht më të lira këstet e kredive në lekë. Por njëkohësisht ky veprim do të ndikojë sadopak në zbutjen e kostos së borxhit të qeverisë, pjesa më e madhe të cilit është në monedhën vendase. Por ekspertët të fushës janë te mendimit se ulja e mundshme me 0.25% do të jetë një sinjal i mirë për ekonominë, ndërsa sugjerojnë se një ulje edhe më e madhe do të jepte efekte direket dhe të menjëhershme tek konsumatorët./ch/
KOMENTE