English

Pas Uithersit, presidenti Topi takim lamtumire edhe me ambasadorin gjerman

Tiranë, 28 korrik, NOA – Një ditë pasi ka zhvilluar takim lamtumire me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Uithers, presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim të tillë edhe me ambasadorin e Gjermanisë, Bernd Borchard me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vendin tonë.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi i cilësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe miqësinë tradicionale dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në shumë fusha, e falënderoi ambasadorin Borchard për punën dhe aktivitetin e tij diplomatik disa-vjeçar në shërbim të rritjes dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të vendit tonë në NATO dhe më vonë në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ambasadori gjerman, Bernd Borchard shprehu mirënjohjen ndaj presidentit Topi dhe gjithë institucioneve të shtetit shqiptar për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e frytshëm, që ia bënë më të lehtë përmbushjen e misionit të tij diplomatik në të mirën reciproke të dy popujve dhe vendeve tona.

Diplomati Bernd Borchard, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë vitet e fundit, mbahet mend për qëndrimet dhe deklaratat e mbajtura në momente të rëndësishme të politikës shqiptare, sidomos në çastet e ngërçeve politike apo për sqarimin e qëndrimit të vendit të tij dhe Bashkimit Evropian në tërësi për liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë si të tillë drejt strukturave euro-atlantike.

n.e/NOA

KOMENTE