English


Presidenti Ka Ndjekur Procedura Transparente Dhe Ligjore Për Kreun E Kushtetueses

shilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi sqaron procedurat e ndjekura nga Kreu i Shtetit - TIRANË, 28 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Presidenti Bamir Topi po vepron në respekt të plotë të Kushtetutës dhe me transparencë të plotë lidhur me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; tha të mërkurën këshilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi. Në reagim të deklaratës së sotme të deputetit të PD-së, Eduard Halimi, i cili akuzoi Kreun e Shtetit, Bamir Topi se ka shkelur Kushtetutën pasi nuk ka dekretuar brenda afateve ligjore, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe 4 gjyqtarë, të cilëve u ka mbaruar mandati, këshilltari Peçi tha se "vonesat në mosemërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur si pasojë e burokracive në Kuvend dhe jo për faj të presidentit". Sipas ligjit, Presidenti propozon përmes dekreteve të emërimit kandidaturat për postetet vakante, te cilat më pas miratohen në Kuvend. Duke mbrojtur procedurat e ndjekura nga Kreu i shtetit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por dhe Gjykatës së Lartë, Peçi informoi se "Presidenti në vazhdimësi, jo vetëm që i është përmbajtur seleksionimit të kandidaturave, në bazë të kritereve ligjore dhe atyre të përcaktuara nga grupi i ekspertëve, por ka bërë përpjekje që pjesë e këtij procesi të bëhet dhe politika shqiptare, pa cënuar të drejtën e tij për të përzgjedhur dhe dekretuar. "Me mbarimin e mandateve, Presidenti ka dalë me një propozim konkret për dy forcat kryesore politike dhe dy grupet parlamentare, PD dhe PS. Sipas këtij propozimi, që është në analogji me ligjin për zgjedhjen e anëtarëve të kolegjit zgjedhor, Presidenti seleksionoi nga më shumë se 80 kërkesa, 10 kandidatura për Gjykatën Kushtetuese. Më pas dy forcave kryesore politike iu propozua që të hiqnin nga lista nga dy kandidatë, të cilët nuk i dëshironin, dhe pjesa tjetër e mbetur (6 kandidatë) të shkonte për votim në Parlament", shpjegoi situatën këshilltari ligjor i Presidencës. Sipas tij "ky proces synonte pjesëmarrjen e politikës në përshpejtimin e këtij procesi mjaft të rëndësishëm. por nga ana tjetër është dhe një tregues i qartë që Kreu i Shtetit ka seleksionuar vetëm mbi bazën e kritereve dhe jo mbi bazën e preferencave personale. Pra kemi të bëjmë me një proces ligjor, transparent e publik, por që jo gjithmonë ka gjetur mirëkuptimin e faktorëve të tjerë që në fund të fundit japin pëlqimin për dekretet e Presidentit". Këshilltari Peçi konfirmoi se ky proces do të përfundojë në ditët e para të shtatorit kur fillon dhe sesioni i ri i Kuvendit dhe po ashtu krijohet mundësia për përzgjedhjen e kryetarit brenda kritereve që duhet të përmbushë një funksion i tillë i rëndësishëm. "Nuk ishte pengesë nëse Kuvendi ishte i mbledhur ose jo, por pengesë kanë qënë vetë shkaqet e mësipërme, si dhe burokracia, zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë të paktën në miratimin e atyre kandidaturave të paraqitura deri tani nga Presidenti", theksoi ai. Në reagimin e tij, këshilltari Peçi nuk ka pranuar dhe kritikat e hedhura në media se mungesa e kryetarit të Kushtetueses po sjell bllokimin e punës së kësaj Gjykate. "Këto deklarata nuk i përgjigjen realitetit. Qenia apo jo e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese me mandat apo pa mandat nuk e pengon veprimtarinë gjyqësore të kësaj Gjykate. Kryetari i saj është i barabartë, si të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj Gjykate në procesin gjyqësor dhe në vendimmarrjen e saj", tha këshilltari juridik i Presidentit. Peçi sqaroi se edhe kërkesat (rreth 9 të tilla) për t'u shqyrtuar nga kjo Gjykatë, pas mbarimit të mandatit të kryetarit të saj Vladimir Kristo, janë ndarë normalisht, si në çdo rast tjetër për të parapërgatitur fillimin e proceseve, brenda afateve ligjore. /k.sh/
KOMENTE