English


PS, Dade: Prokuroria të tregojë që nuk është nën kthetrat e Berishës

Tiranë, 28 korrik, NOA – Selia rozë nuk ka rreshtur akuzat ndaj korrupsionit qeveritar që ka kapluar Shqipërinë, për të cilin përgjegjës kryesor është Sali Berisha me mendësinë e tij të pandëshkueshmërisë.

Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade duke iu referuar tërë viteve të tranzicionit shqiptar 20-vjeçar, deklaroi se qeveria e Berishës është më e korruptuara në kaq vite tranzicion.

“Sali Berisha ka instaluar kulturën e pandëshkueshmërisë, listës së ministrave të korruptuar të qeverisë së mëparshme iu shtuan dhe ministrat e koalicionit. Rasti tronditës korruptiv i Ministrit të Ekonomisë vërteton katërçipërisht, që ky koalicion është krijuar vetëm mbi interesa okulte, korruptive”, theksoi deputetja Dade.

“Sali Berisha është përgjegjësi kryesor i instalimit dhe i thellimit të korrupsionit në qeverinë e tij dhe është i detyruar t’i japë përgjigje opozitës dhe shqiptarëve për fitimin korruptiv prej 1.8 milionë eurosh brenda një viti të krizës ekonomike të ministrit të tij dhe të skemës nepotike, të ngritur mbi kapacitetet korruptive, që rrënojnë çdo ditë ekonominë, jetën sociale dhe politike të vendit”, nënvizoi në deklaratën e saj, deputetja socialiste.

Ajo tha ndër të tjera se PS, vazhdon të kërkojë dhe të presë hapa të rëndësishëm që duhet të ndërmerren urgjentisht nga Prokuroria, “e cila shpresojmë t’i ketë shpëtuar kthetrave të Sali Berishës dhe koalicionit që ai drejton”, theksoi Dade.

Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade u bëri apel organeve të drejtësisë, që edhe pse në raste të ngjashme mund të kenë qenë të dominuar nga politika, duhet të zbatojnë ligjin duke bërë drejtësi për aferat korruptive të qeverisë Berisha, që, sipas selisë rozë, kanë vënë në rrezik demokracinë dhe kanë zhytur në varfëri të skajshme shumicën e shqiptarëve.

mit/NOA

KOMENTE