English


Shkodër, arrestohet 46 vjeçari prodhonte pije të falsifikuara

Shkodër, 28 korrik, NOA – Prodhonte pije dhe i etiketonte me etiketa dhe ambalazhe të falsifikuara, por bie në prangat e policisë së Shkodrës.

Në kuadër të operacionit të koduar “Kalaja”, oficerët kundër krimit ekonomik në Policinë e Shkodrës finalizuan me sukses pas hetimi njëjavor zbulimin e punishtes së pijeve dhe arrestimin e pronarit të saj, 46 vjeçari Xhavid Kasmi.

Xhavid Kasmi u arrestua mbrëmë, në orën 23.15 para mesnatës, në banesën e tij në lagjen Ajasëm në Shkodër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Kasmit, dhe punishten e pijeve në pronësi të tij, u gjetën dhe u sekuestruan si provë materiale një sasi e konsiderueshme malli i falsifikuar, që përdorej për prodhim të paligjshëm të artikujve industriale e ushqimorë.

Policia njofton se u sekuestruan 239 700 etiketa pijesh alkoolike dhe jo alkoolike; 33 mijë tapa amballazhi plastike të pijeve të ndryshme alkoolike; 30 mijë tapa amballazhi metalik të pijeve të ndryshme alkoolike; 7 mijë copë kundëretiketa pijesh alkoolike të mbishkruara të verës VARNAC-2004 prodhim i Malit të Zi; 750 copë ambalazhe kartoni vere; 144 shishe të mbushura me lëng , të etiketuar Vinsko SIRCE e dyshuar si Acid Citrik.

Policia ka sekuestruar tërë materialin dhe punishten, ndërsa Xhavid Kasmi ndiqet penalisht për falsifikim të vulave, stampave ose formularëve si dhe për prodhimin e kundraligjshëm të artikujve dhe mallrave industrialë e ushqimorë.

mit/NOA
KOMENTE