English

Shkodër, prangoset autori i vënies së eksplozivit në një magazinë në Beltoje

Shkodër, 6 shtator, NOA – Policia e Shkodrës ka prangosur autorin e vendosjes së lëndës plasëse në një magazinë në fshatin Beltoje, sot rreth orës 06.00 i mëngjesit, ku u dëmtua një objekt në pronësi të 60 vjeçarit, M. Gjergji, banues në fshatin Beltoje të komunës Bërdicë.

Pasi kanë nisur hetimet policia e Shkodrës bëri identifikimin dhe arrestimin e autorit të ngjarjes, 58 vjeçarin Ndrek Lacuku.

Nga veprimet e para hetimore, rezultoi se pikërisht pranë rrugës kryesore të fshatit Beltoje, ishte dëmtuar me lëndë plasëse një magazinë për mallra ushqimore.

Sipas policisë rezultoi se për shpërthimin autori i ngjarjes, Ndrek Lacuku ka perdorur një sasi të konsiderueshme lënde plasëse, e cila mendohet të jetë hedhur tek një nga dritaret e hapura të objektit, ku si pasojë e shpërthimit u dëmtua krejtësisht ndërtesa, ndërsa nuk pati asnjë të plagosur.

Policia në bazë të hetimit doli në përfundimin se ngjarja ndodhi për motive të dobëta, lidhur me një konflikt pronësie mes dy bashkëfshatarëve.

Gjithashtu gjatë hetimeve të kryera rezultoi se po autori Ndrek Lacuku është autor edhe i ngjarjes së ndodhur dy vjet më parë, kur u dëmtua me lëndë eksplozive e njëjta ndërtesë, për të cilën nisi procedimi penal.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit, u gjet dhe sekuestrua një sasi lënde eksplozive, rreth 400 gr. si dhe një armë gjahu, të cilën ky shtetas e mbante pa leje.

Ndaj autorit të vendosjes së eksplozivit në magazinën pranë Beltojes, janë ngritur akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe armëmbajtje pa leje.

mit/NOA
KOMENTE