Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jakup Krasniqi: Mocioni, i domosdoshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme
English

Jakup Krasniqi: Mocioni, i domosdoshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Prishtinë, 29 tetor, DW - Jakup Krasniqi, president në detyrë dhe kryetar i parlamentit të Kosovës, pranon krizën institucionale dhe nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, që sipas tij pritet të shpallen javën e ardhshme.

Në një intervistë për Deutsche Welle, ai pohon se mocioni ishte i domosdoshëm. “Nuk do të mund të bëhej për shkak se njëra nga partitë doli papritur nga koalicioni dhe qeveria mbeti në minorancë dhe shtrohej në këto kushte domosdoshmëria e një mocioni për të dalë më shpejt të themi nga kjo krizë institucionale”, pohoi ai.

Zoti Krasniqi, duke pasur parasysh situatën aktuale në Kosovë, pa president, pa shef policie, pa guvernator dhe pa buxhet te miratuar për vitin e ardhshëm, a e pranoni dhe ju që ka krizë instuticionale dhe politike?

Po nisur nga ky aspekt mund të duket se Kosova është në një krizë institucionale, por një krizë institucionale e parashikuar edhe me Kushtetutën e Kosovës, një lloj krize, që shumë vende demokratike e kanë përjetuar dhe tejkaluar. Mendoj që këtë krizë Kosova shpejt do ta kalojë, pasi dje një mocion i 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës është administruar dhe brenda një jave pritet që Kuvendi i Kosovës të shpallë ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në afatin prej 40-45 ditësh. Mendoj në një formë ose një tjetër institucionet dhe administrata po i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Kështu që brenda afatit të paraparë kam besim të plotë, që do të dalin institucionet e reja, që do t'i marrin përgjegjësitë e që do të çojnë më tej zhvillimet në vend.

Zoti Krasniqi, a ishte patjetër i nevojshëm ky mocion? Pra vetë kryeministri dhe ju nuk e shpërbënit parlamentin, pasi koalicioni qeverisës dështoi?

Jo. Mocioni ishte i domosdoshëm. Nuk do të mund të bëhej për shkak se njëra nga partitë doli papritur nga koalicioni dhe qeveria mbeti në minorancë dhe shtrohej në këto kushte domosdoshmëria e një mocioni për të dalë më shpejt të themi nga kjo krizë institucionale.

Situata vjen në një kohë, kur ndërkombëtarët po insistojnë për fillimin e dialogut me Serbinë, përfundimisht a do të ketë dialog me Beogradin në këto kushte, që është Prishtina? Edhe në këto kushte mund të nisin bisedimet përgatitore me Serbinë.

Ne e konsiderojmë që për dialogun, që është folur kaq shumë në këto kushte, palët nuk janë të përgatitura të dialogojnë. Nëse shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe sipas të gjitha gjasave do të shkojmë, do të ishte shumë mirë që me konstituimin e instuticioneve të reja, të dalë nga zgjedhjet, të fillohej edhe procesi i bisedimeve. Por nuk përjashtohet mundësia që edhe në këtë fazë të bisedohet mbi disa parapërgatitje për fazën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe që këto bisedime të monitoroheshin sigurisht nga Bashkimi Europian.

Kjo krizë institucionale nxori në pah edhe kriza të tjera, siç ishte ajo në LDK , partia deri dje në koalicion, ku doli zyrtarisht edhe fraksioni i Bukoshit. Po, Partia Demokratike e Kosovës a ka të tillë probleme brenda radhëve, pra është ajo monolite, unike, për të sfiduar partitë rivale të vjetra dhe të reja, që do të përballen në këto zgjedhje të reja?

Në vendet e tranzicionit, siç është Kosova, e cila ka hyrë në këtë fazë më vonë se gjithë vendet e tjera, dalin në skenë edhe pretendimet e tjera brënda për brënda partive politike, për të pasur pushtet, për të pasur ndikim dhe ndoshta edhe për t'u profilizuar. Por për sa i përket partisë demokratike mund t'ju them se ajo para pak ditësh bëri Kuvendin e saj, ku zgjodhi kryetarin dhe organet drejtuese partiake dhe me këtë kjo parti vazhdon të jetë më e unifikuara dhe partia më e madhe, si dhe në një farë mënyre edhe partia më përgjegjëse për t'i marrë në dorë proceset politike, që duhet të zhvillohen dhe që do të zhvillohen në Kosovë.

Zoti Krasniqi, Serbia mori dritën e gjelbërt nga Brukseli për negociatat për anëtarësim në BE, ndërkohë që Kosova me zhvillimet e fundit bën një hap prapa, TI e vlerësoi si vendi i fundit në Ballkan në luftën kudër korrupsionit. Cili është mendimi juaj për këtë?

Ne e kemi përshëndetur dhe s'kemi asgjë kundër asaj, që Brukseli i hapi rrugën dhe perspektivën Beogradit drejt anëtarësimit në BE, por nga ana tjetër mund t'ju them që edhe Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. Gjithashtu mes Kosovës dhe Beogradit ka edhe një dallim, që duhet përmendur: Jo për faktin që në Beograd gjendja është më e mirë, jo se në Beograd nuk ka korrupsion, apo krime të organizuara, por për faktin se vendet e Bashkimit Europian nuk janë unike ndaj politikës në Kosovë. Kemi ende pesë vende në BE, që hezitojnë që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Mendoj se në këtë rrafsh kjo është pengesa kryesore, që i bëhet Kosovës nga Brukseli. Nga ana tjetër Kosova është vendi më i ri në rajon, ka konsoliduar të gjitha institucionet e shtetit duke përfshirë institucionet e pavarura. Në këto 2-3 vite ka pasur të arritura të mëdha, ndonëse i duhet kohë dhe hapësirë për të luftuar të gjitha dukuritë negative, që shfaqen në këto raste në vendet, që janë duke kaluar tranzicionin. Përsëritja e koalicionit PDK-LDK në pikëpyetje.

Në opinion u krijua përshtypja se LDK është fajtore për krizën, edhe nga PDK ka pasur të tilla akuza. Pra koalicioni PDK-LDK dështoi. Por ky koalicion a mund të përsëritet pas zgjedhjeve, zoti Krasniqi, nëse ka qenë i suksesshëm pavarësisht nga kjo, që ndodhi?

Realisht koalicioni qeverisës për periudhën tre vjeçare ka pasur sukseset e saj të mëdha dhe ka qenë një koalicion, që ka ndikuar shumë në stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit, një koalicion që ka arritur të krijojë të gjitha institucionet e Kosovës. Ka qenë një koalicon, që si në planin e brendshëm, por veçanërisht në atë të jashtëm ka pasur suksese, duke filluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, krijimi i simboleve të shtetit si dhe si sukses në planin e politikës së jashtme njohja e Kosovës nga rreth 70 vende të botës, mendimi pozitiv nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Kosovën dhe së fundi rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nga e cila në një formë, apo tjetër njihet shteti sovran i Kosovës. Këto janë rezultate të dukshme dhe të prekshme të koalicionit qeverisës mes dy partive. Por nëse do të përsëritet ky koalicion, apo jo varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve edhe për një arsye tjetër se në LDK kemi formimin e grupacioneve të ndryshme, të njerëzve, që vrapojnë për pushtet për të marrë kreun e kësaj partie dhe nuk dihet si do të dalë kjo parti në zgjedhjet e ardhshme. Por në fund të fundit mendoj që në Kosovë ka aq shumë parti, që mund të bëhet koalicion edhe duke lënë një subjekt të madh politik dhe duke e lënë atë në opozitë. Kjo do të ishte e shëndetshme edhe për demokracinë, që po zhvillohet në Kosovë.

Deutsche Welle

KOMENTE