English

Akuzat e PS, MSH: Listën e barnave të rimbursueshme e miraton KM, jo ministri

Tiranë, 1 nëntor, NOA – Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero i ka cilësuar të papranueshme dhe të pakuptimta akuzat ndaj ministrit Petrit Vasili për papërgjegjshmëri dhe korrupsion në drejtimin e MSH-së, akuza të ngritura nga deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi.

Në një konferencë për shtyp, Pipero sqaron pretendimin e PS-së për administrimin e ilaçeve duke i kujtuar se lista e barnave të rimbursueshme prej vitesh, që nga koha kur në pushtet ishte Partia Socialiste është miratuar dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, zoti Pipero i ka bërë me dije socialistit Shalsi se lista e fundit është miratuar që në janar të këtij viti dhe është publikuar si në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave ashtu edhe në mjaft të përditshme shqiptare, sikurse është afishuar edhe në shumë farmaci.

Sipas drejtorit të politikave, Pipero, Ministria e Shëndetësisë nuk kryen asnjë procedurë blerjeje për asnjë ilaç të vetëm, dhe se të gjitha spitalet e Shqipërisë për blerjen e barnave financimin e marrin nga Instituri i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, me të cilin çdo spital ka nënshkruar kontratën për financim.

Duke i dhënë përgjigje për pyetjet e adresuara për ministrin Vasili nga deputeti Shalsi, zoti Pipero theksoi sakaq se “blerja e çdo medikamenti kryhet nga vetë spitalet dhe procedura vleresohet nga Agjensia e Prokurimeve Publike (APP), duke nënkuptuar qartazi se Ministria e Shëndetësisë është jashtë çdo procedure prokurimi për medikamentet”.

Pipero i bëri me dije Shalsit se emërimi dhe shkarkimi i personelit shëndetësor spitalor është atribut i plotë i drejtorive në spitale dhe jo i Ministrisë së Shëndetësisë.

Drejtori i politikave në MSH tha në fund të deklaratës së tij se Ministria e Shëndetësisë mirëpret çdo kontribut dhe mendim të opinionit publik, shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë lidhur me reforminin e vazhdueshëm në rrugën e saj për të hartuar politika dhe jo për të bërë tendera.

mit/NOA
KOMENTE