English

Akuzat ndaj ministrit Vasili, PS: Pipero, i emëruari i Vasilit, përfitues tenderash

Tiranë, 3 nëntor, NOA – Dy ditë pasi drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero doli në mbrojtje të ministrit Petrit Vasili i akuzuar nga selia rozë për korrupsion dhe papërgjegjshmëri në drejtimin e shëndetësisë, sot selia rozë deklaroi se Drejtori i politikave shëndetësore të Petrit Vasilit, Pëllumb Pipero është përfitues tenderash në QSUT.

Duke iu referuar daljes publike të drejtorit Pipero, në vend të ministrit të Shëndetësisë, i cili nuk dha asnjë përgjigje për shqetësimet e pacientëve në spitale, deputeti i PS-së, Eduard Shalsi theksoi se Pipero doli në mbrojtje të ministrit, pasi vetë Pipero përfiton miliona lekë tendera nga spitalet e Shqipërisë.

Shalsi e argumentoi këtë duke sqaruar se në këtë skemë korrupsioni të ministrit Vasili, Pipero është i punësuar në këtë pozicion të lartë, por është në të njëjtën kohë edhe themelues dhe menaxher i kompanisë Almeghifarma, që ka për pronarë dhe administratorë respektivisht vëllanë dhe bashkëshorten e Pëllumb Piperos.

Në këtë kontekst, Shalsi tha se gjatë vitit 2010 kompania Almeghifarma e Pëllumb Pipero ka përfituar dhjetëra milion lekë tendera nga Qendra Spitalore Nënë Tereza.

Sipas Shalsit është e qartë se kjo skemë korrupsioni me tenderat nëpër spitale është tërësisht një skemë e ministrit Vasili.

Deputeti socialist, bëri me dije se në ditët në vijim do të publikohen të tjera fakte lidhur me aferat korruptive të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, arsye që sipas opozitës, dëshmojnë për faktin pse janë në gjendje të mjerueshme spitalet shqiptare.

mit/NOA
KOMENTE