Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Odisea e pasaportave në emigracion
English

Odisea e pasaportave në emigracion

Athinë, 16 nëntor, NOA /Nga Abdurahim Ashiku - Odisea, për t’u kthyer në Itakë pas fitores dhelparake nëpërmjet “Kalit të Trojës” iu desh të kalojë nëpërmjet provave të jashtëzakonshme, megjithatë për të Itaka nuk mbeti në “Kalendat greke”. Emigrantëve shqiptarë në Greqi (dhe gjetkë) për të arritur të aplikojnë për pasaportë biometrike në vendin ku jetojnë, veçanërisht atyre që e kanë të pamundur për të udhëtuar në Shqipëri, po përjetojnë një odise të tërë premtimesh që po ua përcjell durimin “Kalendave greke”

Si gazetar, si qytetar, si emigrant si të gjithë të tjerët, më 25 mars 2010 iu drejtova me një letër të hapur institucioneve të larta të shtetit dhe të pushtetit në Shqipëri për ta shtrirë aplikimin për pasaporta biometrike dhe letërnjoftime elektronike në ambasadat e konsullatat shqiptare në Greqi, dhe në të gjithë vendet ku punojnë e jetojnë emigrantët.

Në “Letrën e hapur” ndër të tjera theksoja:

Emigrantët duhet të aplikojnë si për letërnjoftim ashtu edhe për pasaportë biometrike atje ku punojnë dhe jetojnë. Mund të aplikojnë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë apo pranë konsullatave shqiptare në Selanik dhe në Janinë, në segmentet zyrtare të shtetit ku lëshohen dokumente nga më të ndryshmet.

Se si mund të bëhet, për mua është një çështje e thjeshtë teknike, është një veprim po aq i rëndomtë sa veprimi në një komunë në skajet më të largëta të Shqipërisë....

Botimi në gazetat në Shqipëri, në emigracion dhe në internet do të tërhiqte vëmendjen edhe të njerëzve që merren me këtë punë në Kryeministri, në Ministrinë e Brendshme, Ambasadën Shqiptare në Athinë, prononcimet dhe zotimet e të cilëve e quajta të nevojshme t’i ribëj publike për të gjithë ata që lexojnë jo vetëm në rreshta por edhe midis tyre.

Ylli Asllani, Këshilltar i Kryeministrit për Pushtetin Vendor, në një letër në adresën time elektronike, ndër të tjera më shkroi:

“...Kurse shqetësimin për pajisjen e shqiptareve me pasaporta aty ku po jetojnë është i drejtë dhe së shpejti do të ketë një zgjidhje konkrete pasi ai përbën vullnetin e palëkundur të kësaj qeverie dhe prioritetin e kompanisë në kushtet e një mundësie teknike tejet të vështirë...”

Vili Minarolli, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë më shkruan:

“Unë duhet të të kisha shkruar dhe të të falënderoja për "Letrën e Hapur" sepse ishte një mbështetje për atë që unë zyrtarisht me shkrim dhe me gojë e kam prezantuar me kohë para autoriteteve më të larta shqiptare. Kërkesa jonë, që më mirë duhet thënë e drejta jonë, ka gjetur mirëkuptim të plotë tek Kryeministri Berisha dhe ai ka ngarkuar dy ministrat të Jashtmin dhe të Brendshmin që të kontaktojnë me kompaninë private që merret me prodhimin e dokumenteve biometrike për ta zgjidhur problemin.

Po ashtu jam në dijeni se si Ministri Meta dhe Ministri Basha janë angazhuar në maksimum për këtë problem.

Ministri Meta më dha gjithashtu porosinë që mundësisht të hapim edhe pika të tjera për të ndihmuar sa me afër emigrantet tanë.

Jam në dijeni se kompania po punon për zgjidhjen e disa problemeve teknike për lidhjen e kompjuterëve që do te instalohen në konsullata me serverin e regjistrit kombëtar..

Se fundi, para tre ditësh një person i ngarkuar nga kompania private komunikoi me mua për të marrë informacion për disa probleme teknike për të realizuar aplikimin për dokumente në konsullatat tona në Greqi.

Mendoj se problemi është vënë në rrugën e zgjidhjes.

E mërkurë, 14 prill 2010

Adriatik Shehu, Përgjegjës i Sektorit të Dokumenteve të Identitetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme më 11 maj 2010 më shkruan:

Po ju përgjigjemi në lidhje me problemin që keni ngritur në adresën elektronike të Ministrisë së Brendshme. Jemi në dijeni edhe të Letrës së Hapur që keni bërë para disa ditësh për të njëjtin qellim. Së pari, ju falënderojmë për problemin që keni ngritur, sepse problemi i pajisjes me Dokumente Identiteti të shtetasve shqiptarë në emigracion është parësor edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ministrinë e Brendshme.

Në lidhje me këtë problem ju sqarojmë: Ministria e Brendshme është në negociata me kompaninë ALEAT për të bërë të mundur aplikimet për dokumente identiteti (Letërnjoftime elektronike dhe Pasaportë biometrike) pranë ambasadave Shqiptare në ato shtete ku dhe emigracioni Shqiptar, konsiderohet i madh. Mendojmë që kjo gjë do te realizohet së shpejti. Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Armand Teliti, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë në një emision në kanalin televiziv News 24, pyetjes së gazetarit Bashkim Hoxha “Sikur është hedhur një ide për pajisjen me pasaporta në ambasadat përkatëse. Më duket se nuk funksionon apo jo?” i përgjigjet:

Akoma nuk funksionon. Është një proces edhe ky i nisur për të cilin hollësirat nuk mund të jepen tani, është një proces që po zhvillohet me një tratativë midis Ministrisë së Brendshme dhe Kompanisë dhe do të shikohen rezultatet përfundimtare të kësaj tratative në një kohë të shpejtë. Politika e Ministrisë së Brendshme është që ky shërbim të ofrohet edhe në ambientet konsullore të ambasadave tona jashtë vendit. Do të bëhet, por afatet dhe si do të jetë, janë akoma në një proces diskutimesh të cilat unë sot nuk mund ti jap.

Ferdinand Poni, zëvendësministri i Brendshëm, ka sqaruar procedurat e aplikimit në konsullata si dhe detyrimet që duhet të paguajë çdo emigrant, shqetësim ky i ngritur nga ligjvënësit e opozitës në komision. Poni sqaroi se këto zyra të reja do të jenë funksionale në Romë, Milano, Athinë dhe Selanik, por dhe emigrantët që jetojnë në qytete të tjera, mund të zgjedhin të aplikojnë aty...

...Procesi i aplikimit parashikohet të jetë i njëjtë, ndërkohë që kuponët do të blihen në zyrat e shërbimit konsullor. Procesi i prodhimit do të fillojë me transferimin e të dhënave.

Dashnor Dervishi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë

I pranishëm në një tubim shqiptarësh në mbështetje të një emigranti shqiptar, kandidat në zgjedhjet e pushtetit vendor në Greqi në “Agora Kipselis” më 2 nëntor 2010, pyetjes së një gruaje se kur Ambasada Shqiptare do të fillojë aplikimin për pasaportat biometrike iu përgjigj:

“Për mua nuk është gjëja më e rëndësishme në se do të bëhen apo nuk do bëhen pasaportat. Pasaporta një copë letër është. Rëndësi ka që Bashkimi Evropian javës tjetër, në mbledhjen e datës 8 nëntor, ditën e enjte (!) do të pritet që të marri vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Mendoj se kjo është ngjarja më e rëndësishme që duhet të festojmë e të gëzojmë. Çështjet teknike pastaj janë çështje teknike. Vendimi është marrë por kuptoj që duhen zgjidhur disa gjëra në kohën e duhur.”

B.Ll. Facebook 500 euro pasaporta në ambasadë?! Që në pranverë ka filluar biseda për fillimin e aplikimit të emigrantëve për pasaporta biometrike në konsullata dhe ambasada. Bisedat vazhduan edhe gjatë vjeshtës dhe shumë premtime u dhanë, mirëpo asnjë dritë jeshile nuk është dhënë për fillimin e aplikimit me pasaporta biometrike nga ambasadat dhe konsullatat. Emigrantët kanë ngritur shqetësimin e tyre të madh për pajisjen me pasaportë biometrike, madje janë të frikësuar se qeveria shqiptare me neglizhencën e saj, jo vetëm që nuk do të fillojë herët aplikimet në ambasada, por do të harrojë të shtyjë afatin e skadimit të pasaportave të vjetra. Institucionet greke janë njoftuar se në datën 1 janar 2011 do të skadojnë pasaportat e vjetra, ndaj dhe shqetësimi i emigrantëve është shtuar akoma më shumë. Edhe nëse aplikimet fillojnë në fillim të muajit dhjetor, nuk do të arrijnë të shërbejnë mijëra emigrantë që banojnë në zona të largëta të Athinës dhe që përveç shpenzimeve të mëdha, nuk do të pajisen as me pasaportë. Për emigrantët që jetojnë në ishuj, një pasaportë biometrike bashkë me kartën e identitetit do kushtojë më shumë se 200 euro, duke mbledhur këtu shpenzimet e rrugës dhe të ushqimit. Një tjetër shqetësim për emigrantët që jetojnë në ishull është shërbimi në ambasadë, pasi nëse ata nuk shërbehen brenda ditës, atëherë duhet të qëndrojnë në hotel, kështu që shpenzimet do të arrijnë në 250 euro. Nëse shtohen këtu edhe shpenzimet që do të bëjë një emigrant për të marrë pasaportën nga ambasada, kostoja arrin në 500 euro, që do të thotë se një emigrant shqiptar duhet të punojë një muaj për tu pajisur me pasaportë biometrike dhe kartën e identitetit.

a.a/NOA

KOMENTE