English

Heqja e vizave, akti më madhor

Heqja e vizave ishte, natyrisht, më madhorja. Vizat u hoqën, sepse Shqipëria pësoi ndryshime shumë të thella, sepse Shqipëria ia doli në një hark të shkurtër kohor të bëj një emër botëror në ekonominë e saj. Mund ta doni ose mos ta doni Sali Berishën dhe qeverinë e tij, por ju nuk mohoni dot kurrë se këto 3 vite është ekonomia më e kuotuar se çdo ekonomi tjetër, është më e lakuar se çdo ekonomi tjetër. Pra nuk mundet që ky lajm kaq pozitiv të mos ndikonte në heqjen e vizave. Doni apo nuk doni ju, klima që ekziston në Shqipëri për biznesin është një nga klimat më ftuese.


Nga Sali Berisha*


Dëshiroj të falënderoj me mirënjohje opozitën për kërkesën që bëri për këtë mocion, për një nga problemet më të rëndësishme, siç është integrimi i Shqipërisë ë Bashkimin Evropian dhe raporti i Komisionit Evropian.

Unë dua të dua të garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria ime e konsideron këtë raport si një dokument themelor, jashtëzakonisht të rëndësishëm, të dobishëm dhe se në traditën e saj më të mirë ky raport do të shndërrohet në një program të vërtetë pune, mbi të cilin do të bazohet tërësia dhe universi i reformave që do të shtyjnë përpara në mënyrë të pandërprerë procesin e integrimit.

Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

Në historinë 18 vjeçare të pluralizmit politik apo të vendosjes së sistemit demokratik, pas anëtarësimit në NATO, viti 2010 është dhe mbetet viti më i rëndësishëm, viti i arritjeve më të mëdha. Heqja e vizave për qytetarë shqiptarë, një proces kryekëput i bazuar në reforma të gjithanshme dhe suksesin e reformave në fushën e rendit, drejtësisë, gjendjes civile, të luftës kundër korrupsionit, të krimit të organizuar, bënë të mundur që për shqiptarë të bjerë dhe muri i fundit që kishte mbetur për të kapur hapësirën e madhe evropiane, për tu ndjerë në lirinë e lëvizjeve qytetarë evropianë.

Duhet të jemi realist se heqja e vizave për shqiptarë nuk ka qenë një vendim i lehtë për 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ka qenë vendim më i vështirë se për të gjitha kombet e tjera. Sepse në një kohë jo të largët, kur ata lëviznin tërësisht pa viza në mbarë Evropën, shqiptarët ekzekutoheshin në kufijtë e tyre në përpjekjen e parë për të dalë në botën e lirë dhe jetonin të rrethuar nga tela me gjemba. Vendi jetonte në një bunker të vërtetë. Heqja e vizave për shqiptarët ka qenë një vendim i vështirë për 27 qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, duhet t’i shohim gjërat drejt e në sy. Për shkak të një varfërie ekstreme në të cilën hiperkolektivizmi paranojak i Enver Hoxhës e zhyti Shqipërinë dhe shqiptarët, ndonëse ishin banorë të një vendi të bekuar në pasuritë natyrore, mbitokësore, nëntokësore, ata u larguan në eksode biblike nga vendi i tyre, eksode që Evropa nuk i kishte parë që nga Lufta e II Botërore, eksode të cilat njerëzimi i pa vetëm në përfundimin e luftës në Vietnam, eksode që shqiptarë i kishin përjetuar nga mesjeta.

Këto nuk kishin ndodhur as në fund të viteve ’70, as në Luftën e II Botërore, që pati një pushtim. Por shqiptarët nuk u larguan në eksode të tilla që nga mesjeta e deri më sot. Ata qëndruan gjatë luftës, organizuan rezistencën, nuk u larguan vendi i tyre siç ndodhi 20 vjet më parë. Kjo sepse regjimi diktatorial e shkatërroi këtë vend më shumë seç mund të shkatërrojë çdo luftë çdo vend tjetër; kjo sepse regjimi diktatorial ndërtoi bunkerë 4-5 herë më shumë seç ndërtoi apartamente banimi; kjo sepse regjimi diktatorial ndërtoi burgje dhe kampe përqendrimi disa herë më shumë se universitete, shkolla, spitale të marra së bashku. Heqja e vizave për shqiptarët nuk ishte një vendim i lehtë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sepse në një kohë jo të largët, në një periudhë 7-8 vjet më parë, ky vend sundohej nga bandat më të egra e më të rrezikshme në Evropë. Në këtë vend, si në asnjë vend tjetër të kontinentit, priteshin koka njerëzisht dhe me to luhej futboll në sheshet e qyteteve dhe autori kalonte natën në shtretër me deputetë. Dhe kur e ndiqte policia e gjenin në veturat e zyrtarëve të lartë. Heqja e vizave për shqiptarët nuk e lehtë, sepse jo shumë larg, 5-6 vjet më parë, sipas raporteve më të besuara, në këtë vend një post drejtori në polici shitej me 150 mijë euro e posti i drejtorit më të madh shkonte në 300 mijë euro. Heqja e vizave për shqiptarët nuk ishte e lehtë, sepse bandat dhe krimi i organizuar shqiptar u bënë më të famshmit në Evropë, filluan të krahasohen më mafiet më të rrezikshme të kontinentit dhe më gjerë. Ky vendim nuk ishte i lehtë, ishte një vendim realisht i vështirë për vendet e Bashkimit Evropian, sepse në këtë vend si sistem ishte kleptokracia, korrupsioni, si sundim ishte krimi i organizuar. Veriun e Tiranës e kontrollonte tërësisht Nehat Kulla, opozitarët ekzekutoheshin lehtësisht para selive të tyre, Lushnjën, Durrësin, Korçën, ju jeni dëshmitarë të të gjitha këtyre.

Pra heqja e vizave për shqiptarët ishte shumë e vështirë, por le t’ia lëmë këtë të shkuarës. Me shumë të drejtë mund ta themi këtë, por ka një histori shumë tragjike, nga më të pabesueshme dhe më të pashembulltat në historinë e këtij vendi. Opozita, si në asnjë vend dhe komb tjetër të Evropës u bë copa e nuk la gjë pa bërë për të bllokuar liberalizimin e vizave. Le tu rikthehemi fakteve. Ju kërkoni që unë të mos merrem me opozitën dhe unë kam respekt të madh për opozitën, por në një kohë kur adoptoni platforma të tilla të jeni të sigurt se po të jetë puna për këtë karrige ju bëheni aleatët e mi më kryesorë, por unë nuk ju dua. Unë dua opozitë. Të tilla janë idealet e mia. Në qoftë se ju mendoni se kjo rrugë e të bërit opozitë është e dëmshme për Sali Berishën, unë ju them se është e dëmshme për Shqipërinë dhe aq sa është për Shqipërinë është për Sali Berishën. Por në rrafshin e pushteti të Sali Berishës ju e forconi gjithnjë e më shumë.

Si ansjë opozitë tjetër, ju u angazhuat në një proces të paimagjinueshëm për të bllokuar vizat. Beteja prej 3 vitesh zhvillohet për vizat dhe mbi të gjitha për vizat e vetëm për vizat. Në kokën e një njeriu u ngulit thellë ideja se pas anëtarësimit të vendit në NATO, po mori vizat ky u çimentua në pushtet. Ndaj për hir të tij duhet të bëjmë gjithçka që të bllokojmë këtë proces. Duhet me çdo kusht të mos marrim pjesë në zgjedhje. Kryetari juaj bëri çdo gjë për të bojkotuar zgjedhjet. Ai vendosi një ditë para zgjedhjeve për t’i bojkotuar ato. Unë u jam shumë mirënjohës atyre diplomatëve dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, të cilët e detyruan të ndërrojë mendje një ditë para zgjedhjeve. Ju jam mirënjohës ju që jeni këtu, të cilët e kundërshtuat vendimin e tij për të bojkotuar zgjedhjet. Të jeni të sigurt se jua di shumë për nder dhe ju jam shumë mirënjohës për këtë. Por ndodhi që një ditë pas, unë dhe ai, ne që kishim bërë së bashku marrëveshjet më të mëdha politike në historinë e këtij vendi, pa asnjë lloj detyrimi, përshëndetëm shqiptarët për mënyrën e qytetëruar se si votuan. Kur rezultati nuk doli ai që priste, filloi sërish procesi kundër vizave. Se nuk ishte kundër meje, ishte gjithçka kundër një interesi jetik të qytetarëve shqiptarë që ishin: vizat dhe liria e lëvizjes. Ishte pikërisht kjo leva e Arkimedit, e përcaktuar në mënyrën më patologjike prej tij si instrument kryesor për të rrëzuar Sali Berishën, sepse po mori vizat nuk shqitet më nga pushteti. Kjo ishte motoja e tij. Kurrë në historinë e Evropës, pas Luftës së II Botërore, nuk ka njeri që të ketë deklaruar fillimisht se nuk njoh rezultatin dhe nuk njoh institucionet, e më pas të thotë se njoh rezultatin, por nuk njoh institucionet. Secili prej jush ka një eksperiencë politike dhe gjëja e fundit që mund të thuhet në një sistem demokratik është kjo.

Sot do të jem shumë i vërtetë me ju. Unë e kuptoj se juve nuk ju intereson, por unë do të bëj detyrën time para shqiptarëve dhe para jush. Nuk njoh asgjë tha, nuk hyj në Parlament. Dhe kur një ministër francez i thotë: ore zotëri ke dëgjuar ndonjëherë në botë që të thonë se njoh rezultatin dhe nuk njoh institucionet? Ke dalë jashtë çdo standardi. Ky jam unë thotë.

Unë ju jam mirënjohës juve që e detyruat të futeni në Parlament. Se për atë, unë ju garantoj se mandate të tëra do të shkonin në kosh të plehrave 30 herë. Ju e bëtë dhe unë nuk jua mohoj këtë. Disa thonë se e detyroi ky apo ai, por jo, absolutisht, e detyruat ju që jeni këtu. Sepse sa për të tjerët e di unë çdo të bënte. Ai përveç karriges së tij nuk njeh gjë tjetër, por e pa se po i shpërbëhej grupi dhe mbeti vetëm me 99-at e bashkisë dhe ndonjë tjetër, pastaj tha më mirë të futen në Parlament. Ju u futët kundër dëshirës së tij, por beteja kundër vizave do të vazhdonte në mënyrën më të egër.

Greva e urisë nuk ishte greva e kutisë, por ajo ishte greva e vizave, njëlloj siç ishin dajret dhe bilbilat për Asociim Stabilizimin. Ju nuk jeni kundër integrimit, shumica jeni për integrimin dhe e kam bindjen më absolute, por ju detyronte ai. Në thellësinë tuaj, pavarësisht nga dukja që jeni të detyruar të manifestoni, pavarësisht se si jeni publikuar, tjetër mendoni e tjetër bëni, e vërteta është se ju nuk jeni kundër integrimit. Ai ju futi në grevë urie. Dhe si përfundim iu bë e qartë se s’do të mund të pengonte me grevë urie procesin e heqjes së vizave. Ky vendim ishte shumë i vështirë për shqiptarët, sepse një opozitë e tërë po bënte çdo gjë për ta bllokuar këtë proces. Ai nuk kishte hallin e statusit, e keni gabim. Ai çdo gjë e kalibroi tek vizat. Pasi doli nga greva siç e meritoi, e dini vetë ju si, filloi të përpiqet me të gjitha mënyrat të mobilizojë shuma të mëdha për të krijuar lobe kundër vizave në Parlamentin Evropian, por ky Parlament bazohet në transparencën dhe integritetin. Ishin shumë të paktë ata që u përpoqën ta dëmtonin procesin, ishte ndonjë racist antishqiptar, që kur në qytetet e Shqipërisë llamburitnin dritat ai kacavirrej lisave si majmun. Paratë jua mori, por nuk bëri dot gjë. Vetëm foli si racist në Parlamentin Evropian.

Pra kur njoftonin për shtyrjen e votimit në Komisionin e Jashtëm filloi lëvizjen “Hap kutitë të çlirosh vizat”. Ai u tha shqiptarëve se vizat jua kam unë në kuti. E kuptoni ju se si jeni përdorur në mënyrën më të tmerrshme. Kurrë nuk ka ndodhur që të keqpërdorë një njeri një grup politikanësh, siç ju ka përdorur ai juve. E shihni se deri ku shkoi me sloganin “hap kutitë të çlirosh vizat”. Dhe këtë ua thoshte nënave me shpirt të përmalluar deri në pafundësi. U thoshe se vizat jua kam unë në dorë, se vizat janë në kuti, se ky njeri po nuk hapi kutitë do t’jua djegë vizat. Deri në momentin e fundit, kurrë ndonjëherë ndonjë forcë politike nuk është angazhuar në një veprim antikombëtar e antinjerëzor siç ju angazhoi ai juve gjatë këtyre muajve. Në një kohë kur ne, pas ajrit, kishim nevojë për lëvizjen e lirë më shumë se për çdo gjë tjetër.

Pastaj, duke vjedhur si haker paswordet e njërit apo të tjetrit dhe dërgonte e-maile në Bruksel dhe në Strasburg se do të prisni në shpinë 800 mijë apo 1 milionë shqiptarë. Këto janë absolutisht të vërteta. Si mund të angazhoheni në një proces të tillë dhe u përdorët në shkallën më ekstreme kundër një të drejte jetike të qytetarëve shqiptarë.

Një ditë kam deklaruar se po ndërroj mendje. Unë kam qenë i betuar të mos shkruajë kurrë kujtime, sepse kam lexuar shumë kujtime gjatë jetës time, por në shumicën dërrmuese të tyre kam gjetur shumë mashtrime. Dhe unë për të mos rënë në atë që quhet mashtrim isha betuar të mos shkruaja ndonjëherë kujtime. Memoriet me mashtrim ndoshta kanë qenë edhe të paqëllimshme, por kam qenë i pasionuar pas tyre dhe historisë dhe kam konstatuar mashtrime të shumta. Ndaj dhe isha betuar të mos shkruaj asnjëherë memorie, në mënyrë që me apo pa dashje të mos bëja pasaktësi në to. Tani shoh që edhe ato duhen ndonjëherë.

Unë do të jap dy raste. Në janar të vitit 2007 një diplomat i shquar në Tiranë me vjen në zyrë, kishte ardhur për çështjen e certifikatave se bënte vajtje – ardhje. U ul dhe pas 5 minutash më thotë - më falni se është zoti Rama. A mund të flas - më tha. Jo – i thash unë, - shko në dhomën tjetër. Sepse ma dha zoti që kjo do të ishte një kombinim. Dhe ai doli te zyra tjetër. Unë po prisja bisedën e tij me zotin Rama, sepse e dija që zoti Rama nuk do ta lëshonte pa 25 minuta, se mos e pyet po të kapi në telefon. Pas nja 7-8 minutash me vjen sekretaria dhe më thotë - të kërkon, a mund të vish? Po – i thash unë. Dola dhe shkova në dhomën tjetër. Ai hap altoparlantin e telefonit dhe kryetari juaj i thoshte – unë po vdes këtu, jam shtrirë këtu përdhe. Ky më thotë mua- e sheh! I thash- ç’të shoh, vdis i thuaj.

Në maj, më 15 maj, isha në Zagreb ishte një takim i organizuar nga BERZH, më bie telefoni nga Parlamenti Evropian dhe më thonë se duan të lidhen me ty urgjent. Një mik imi, një nga parlamentarët kryesorë, më thotë - Sali është një problem shumë serioz. Çfarë është – i thash. Më tha - një nga miqtë e këtyre këtu më thotë se Edi Rama hyn sot në grevë urie dhe hyn për të vdekur, ka vendosur të vdesë. Dhe unë i them – miku im më dëgjo pak, - Edi Rama po të dojë ka një dhomë në kat të parë te unë për të hyrë në grevë urie, por për të vdekur ai nuk vdes kurrë. Megjithatë, - i them, - i thuaj edhe atij mikut që të ka thënë se po të garantoj se do t’i bëj funeralin shtetëror më madhështor që ka njohur Shqipëria dhe fjalimin më të bukur nekrologjik. Sali – më thotë ai, - si ka mundësi që i thua ti këto? Po, i thash, - i them sepse ai vuan nga obsesioni i vdekjes. Ai nuk vdes kurrë, por e ka obsesion vdekjen. Këto janë me dëshmitarë.

Po të lexoni Harry Potter, autorja J. Rowling shkruan nga jeta e saj dhe thotë se ka vuajtur për shkak të disa vështirësive nga nëna e saj. Ajo thotë se ka pasur një rini realisht problematike për shkak të problemeve të nënës së saj dhe se për kohë të tëra është munduar nga obsesioni i vdekjes. Dhe më pas thotë se një nga gjërat e para kur skicova Harry Potter, e detyrova personazhin të vrasë prindërit e Harryt dhe i eliminoi. Këto janë në novelë, por partia është tjetër more zotërinj. Ajo e bëri për Harry Potterin dhe u bë e famshme, por ju jeni parti politike, nuk jeni në vendin e saj. Në qoftë se ky sindromi i obsesionit e bëri gjeniale J. Rowling në veprën e saj, juve po ju çon në katastrofë. Ndaj ju bëj thirrje t’i shqyrtoni me gjakftohtësi këto.

Pra vendimi i heqjes së vizave ishte më i vështiri për shqiptarët, por për një gjë kam kënaqësi shumë të veçantë. Një ditë më pas unë isha në Bruksel dhe si në takim, ashtu dhe gjatë konferencës së shtypit, pata rastin tu dëshmoj mediave se në ç’mënyrë të maturuar dhe të qytetëruar e pritën shqiptarët këtë akt. Ku janë eksodet që kishte paralajmëruar kryetari juaj? Ku janë grupet? Këtë obsesionin e vdekjes e ka, jo familjare, por me Koçon e ka identike. Shkoni tek noteria dhe lexoni testamentin e Koços që e kanë të përbashkët. Doni t’ju them emrin e noteres, inicialet janë M.S. Doni t’ju lexoj pjesë nga testamenti i tyre? E merrni si shaka, por nuk është shaka. Le të dalë Koçua e të thotë jo, por unë i nxjerr kopjen. Induksioni jo që ekziston në shoqëri, por sot është krijuar reja kompjuterike që i bën bashkëvepruese 5 mjete menjëherë, IPod, IPed, kompjuterin tjetër e të gjitha me radhë. Kjo është marrë nga biologjia. Pra ekziston testamenti. E njihni ju noteren.

Heqja e vizave ishte, natyrisht, më madhorja. Vizat u hoqën, sepse Shqipëria pësoi ndryshime shumë të thella, sepse Shqipëria ia doli në një hark të shkurtër kohor të bëj një emër botëror në ekonominë e saj. Mund ta doni ose mos ta doni Sali Berishën dhe qeverinë e tij, por ju nuk mohoni dot kurrë se këto 3 vite është ekonomia më e kuotuar se çdo ekonomi tjetër, është më e lakuar se çdo ekonomi tjetër. Pra nuk mundet që ky lajm kaq pozitiv të mos ndikonte në heqjen e vizave. Doni apo nuk doni ju, klima që ekziston në Shqipëri për biznesin është një nga klimat më ftuese. Doni apo nuk doni ju, lufta kundër korrupsionit është një nga historitë më të suksesshme, ndonëse gjatë jetës time s’do mund ta shoh ndonjëherë të çrrënjosur. Pra në gjithë këtë përpjekje duhet të dilje me lajme pozitive në botë, sepse vizat nuk hiqeshin kurrë. Të thoshe se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri ka sukses, ishte më e pabesueshmja, në një kohë kur raporti i Bankës Botërore thotë se 1.4 miliardë dollarë nga taksat dhe tatimet evakuoheshin në xhepat e zyrtarëve; në një kohë kur thuhej se posti shitej 300 mijë euro. Ne, ndonëse me mundim të madh, bëmë diçka. Në qoftë se ju në vitin 2004 mblodhët 97 miliardë lekë nga taksat dhe tatimet, ne kemi mbledhur 188 miliardë lekë nga taksat dhe tatimet. Dhe nuk ka mendje të shëndoshë në botë që nuk e pranon këtë si një sukses të sigurt të luftës kundër korrupsionit. Çfarë bëmë ne? Ne u premtuam shqiptarëve një qeveri të vogël, 33 % më të vogël, 33 % më pak korrupsion.

Ne u premtuam shqiptarëve privatizime të shpejta dhe të plota. Të gjitha korporatat ishin korpuse korruptive. Sot janë të gjitha në sektorin privat. Ne vendosëm metodat dixhitale si metodat më të sigurta të transparencës. Pa luftën kundër korrupsionit nuk hiqeshin kurrë vizat. Pra ne shembëm murrin e korrupsionit. Në qoftë se biznesi në vitin 2004 regjistrohej për 42 ditë dhe me 4 000 euro, sot regjistrohet për gjysme orë dhe me 1 euro. Ndaj dhe Shqipëria ka kërcyer 27 përqind më lartë se mesatarja e vendeve më të zhvilluara të botës, vendeve të OECD-së, për regjistrimin e biznesit. Çfarë bëmë ne me lejet dhe licencat? Gati 2/3 e tyre i bëmë me vetëdeklarim, 1/3 e tyre u bashkuan në Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve. E keni parë ju studimin e fundit që ka bërë USAID? Nuk ju intereson, por duhet ta shihni. Ajo është një nga sukseset më të mëdha në historinë e një vendi. 97 përqind e të gjitha atyre që kanë pasur të bëjnë me këtë qendër janë shprehur se jemi të lumtur ose shumë të lumtur me të.

Çfarë bëmë ne me prokurimet publike? 70 përqind të prokurimeve publike i kishit direk. E ndaluam me ligj prokurimin direkt dhe kaluam tërësisht në prokurime elektronike. E dini ju se sa kanë qenë ata që kanë operatorët që kanë marrë pjesë në total në vitin 2004 në garën e prokurimeve në vend? kanë qenë 8600 gjithsej. E dini ju sa kanë qenë vitin e kaluar, 56 300. Zotërinj, juve ju ka ndryshuar kryetari juaj. Ai nuk ju lejon ju të shihni realitetin, ta prekni, ta çmoni, ta qortoni. Ju nga ndry në kuti. Pra çfarë bëmë ne për të shembur murin e korrupsionit? Ne vendosëm taksat online, vendosëm doganat online, dixhitalizuam procedurat e pranimit në universitete. Prapë ka korrupsion, unë nuk ju them jo ju, por këto kanë marrë një ego botërore. Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha Shqipërisë çmimin e vendit të dytë për transparencën në prokurime. Unë ju garantoj ju se çdo procedurë do të nxjerrë nga korrupsioni, përfshirë dhe lejet e bashkisë më datën 8 maj të vitit që vjen, ditën e fitores së thellë të Bashkisë së Tiranës nga Partia Demokratike.

Pra vizat u hoqën se shembëm murin e korrupsionit, se shembëm murin e krimit të organizuar. 206 banda, një pas tjetrës, në mbarë Shqipërinë u shpartalluan dhe mbi 1100 anëtarë, sejmenë, bosë të tyre u vendosën para ligjit. E qortojnë shumë drejtësinë shqiptare. Natyrisht, unë nuk them se nuk ka vend për qortim, por dua ti shpreh vlerësimin tim sepse në qoftë se sot popullata e burgjeve është dyfishuar është meritë e sistemit të drejtësisë. Së në rast se do të ishin kaq të korruptuar sa flitet për ta, akti i parë do të ishte mosdhënia e vendimit për dënimet. Sepse gjykatësi flet me vendime. Pra, dhe në këtë kontekst ka një zhvillim pozitiv shumë të rëndësishëm, shembëm murin e krimit, shembëm murin e korrupsionit, krijuam një klimë të shkëlqyer për biznesin.

Në këtë sallë ka nga ata që kanë qenë më mua në vitin 2002 në Parlamentin evropian. Nuk kam për ta harruar gazetarin e njohur dhe deputetin italian Demetrio Volcic, i cili u ngrit dhe tha se ç’na duhen ne këta njerëz, ç’punë kemi ne me ta. Këta nuk kanë drita, - tha ai, - nuk kanë ujë, nuk lahen, etj. Unë Demetrio Volcic nuk e njoh për antishqiptar, te jem i sinqertë. Kjo ishte e vërtetë se në ujë nuk kishim, drita nuk kishim, krimi sundonte kudo. Kjo ishte situata. Ndërsa sot si është situata? Që nga viti 2008 e deri më sot ka një situatë krejtësisht tjetër në të gjitha aspektet. E dini ju që janë ndërtuar me qindra e qindra ujësjellës, dhjetëra qytete të vendit marrin ujë 24 orë. Dilni nga kutia dhe shihni Shqipërinë. A ju kujtohet ju lufta e tmerrshme kundër rrugës së kombit dhe tani asnjë prej jush nuk e shqipton dot atë fjalë? Ku është ai që thoshte rruga e asgjëkundit? Tunelet e asgjëkundit i ndërtonte Enver Hoxha. Ai është tuneli i kombit. Tuneli tjetër që do të ndërtohet është një tjetër tunel i kombit. Pra shihni se në çfarë betejash donkishoteske ju ka kyçur ai ju. Për mua nuk ka kundërshtar tjetër më komod sesa ai. Por unë nuk e dua kështu. Për mua është kundërshtari më komod. Një diplomat, mik i imi, më tha një herë në fillim të mandatit të parë – ti ke një problem të madh. Çfarë problemi kam- i thash. Ti nuk ke opozitë – tha. Jo, - i thash, - aty ka opozitë se ka ministra, kryeministra, etj. Po, po, - tha, - por ka ikur kryetari.

Pra vizat u hoqën se shqiptarët sot marrin 2 herë më shumë se 4 vjet më parë. E dini që ka një kriter edhe në të ardhura. A ka opozitë në botë që quan krim rritjen e rrogave dhe pensioneve? Si ka mundësi dhe thoni pastaj pse merrem me të. Unë nuk kam asnjë dëshirë të merrem me të, por merret ai veten e tij dhe me ju. Si mund t’ia nxish zemrat e të thuash është krim rritja e pensioneve? Rritja e pensioneve është akt i detyrueshëm moral dhe ligjor. Si vini e më protestoni këtu, se kërkoni 8 mijë vetë të marrin fondin e pensioneve sa 180 mijë të tjerë. Pse pensione me përzgjedhje do japë unë? Ta harrojë kush ka marrë pension me përzgjedhje. Si more jua bënë zemrat, si mund të ngriheni e të kërkoni që 8 mijë vetë të marrin aq sa mund të marrin së bashku 180 mijë pensionistë? E kuptoni këtë apo jo? Dhe pse, sepse janë votues tuajt. Kur të shkojë drejt kësaj pabarazie sociale, i ftoj shqiptarët të mos i japin asnjë votë Sali Berishës, në qoftë se ia lejoj vetes një gjë të tillë. A keni konstatuar ju se ka 4 vjet që rrogat e larta rriten me 2 përqind ose 0 përqind? Sigurisht ka një prioritet, ndërkohë kur të nesërmen frutat janë dyfishuar. Sigurisht ka një politikë dhe kjo është njerëzore. Por ju e dëgjoni kryetarin tuaj që thotë se rritja e rrogave është krim. A mund t’ju pyes unë ju se çfarë ndodhte në muret e kohës dhe në memorien tuaj, daljet tuaja me krizë, krizë, krizë në një kohë kur gjithë bota thoshte se Shqipëria nuk është në krizë. Po përpjekjet për të rrëzuar bankat? A e kuptoni ju mor zotërinj apo jo, se ju keni qenë ministra, kryeministra dhe kush ju qeveris ju tani? Ju qeveris një njeri që nuk është ulur kurrë në këtë Parlament, së bashku me tre sharlatanë të tjerë shkon rreth 5 vjet pas tyre. Dhe në grevë urie nuk hyn asnjë prej tyre. Sakrificën jua lënë ju, për vete mbajtën fjalimet. E kuptoni ku jeni katandisur apo jo?

Tani vij tek zgjedhjet. Sa here votohet do të ketë zgjedhje të lira, por, sërish, do të jem shumë i hapur me ju. Gjatë këtyre 20 viteve kam bërë kompromise të pafundme, por të mos harrojmë një gjë – se skam bërë kurrë kompromis me gjërat më themelore që unë besoj. Jam unë këtu, jam unë që keni përpara. Ju e dini mirë se piramidat që ndërtuat ju unë mund ti përballoja, e dini ju, por vendosa t’i përmbahem atij parimit moral që thotë se: një borxh që s’është marrë, s’paguhet kurrë. Ju solla ju në pushtet dhe vetë dola në opozitë. Ju të jeni të sigurt se në qoftë se unë pranoja të gjobisja qytetarët shqiptarë, tu merrja atyre taksat për të paguar borxhin që se kisha marrë kurrë, unë do të isha atje ku kisha patur mbi 80 %. Por atë nuk mund ta bëja kurrë. Asnjëherë. Ju solla në pushtet. E rrethuat Presidencën me banda. Jua dhashë ballit atë që meritonin, shpalla një palë zgjedhje. Erdhët në pushtet me dhunë, ju përzura me votë. Kjo është historia. Nga historia nxjerr mësime.

Ju them këtë se ju mendoni se thyem unë me çështjen e votës. Forcë ne botë që më thyen mua me çështjen e votës nuk ka. Vota është ideali im. Ju e patë. Unë nuk kam qenë i persekutuar. Unë kam qenë një njeri që kam besuar në fjalën e lirë. Ato foto të shkëlqyera, si ti gjej dhe origjinalet. Unë do bëj një letër që të më dërgojnë origjinalet. E patë apo jo? 30 vjet më parë dhe, absolutisht, sikur të ishte 3 vjet më parë Sali Berisha. U tmerruat prej tyre. Edhe vetë u çudita. Ishin të bukura shumë.

Ai ju gënjen ju, thotë do të thyhet ky. Jo, unë thyhem aty ku është për tu thyer dhe jam fleksibël aty ku është për të qenë. Por nuk mund të jem kurrë me votën e qytetarëve shqiptarë. A pretenduat ju se në Shkodër është bërë batërdia? A i zgjodhët ju zonat e Shkodrës, ku manipulimi ka pasur kufij vetëm qiellin? A doli diferenca vetëm një votë? Ju jeni politikanë, intelektuale, ju përfaqësoni dhe nuk mund të asgjësoheni në këtë mënyrë. Pse kjo? Sepse ne së bashku vendosëm një standard që nuk ekziston kund në botë, videoja dhe skanimi i fletëve. Këto e kanë bërë procesin, ndoshta, më integër që ka ekzistuar ndonjëherë në procesin e numërimit. Në mijëra vota lëvizi vetëm një votë. Çfarë ju mbetet ju? Të falënderoni Nard Ndokën dhe ti shprehni mirënjohje që u përdor si kukull nga ju, por të paktën nxori të vërtetën në shesh. Atë që nuk e bëri dot kryetari juaj, e bëri Nard Ndoka.

Edhe një herë ju falënderoj që e kërkuat këtë mocion. Sepse ky është një aktakuzë që ju i bëni vetes tuaj. Sigurisht që ju jeni opozitë dhe keni një vend të rëndësishëm në këtë vend. Sigurisht që një sistem demokratik funksionon mbi bazën e një bashkëpunimi kushtetues, luajal, midis të krahëve. Por kur ju i vini vetes qëllim kryesor të bllokoni lëvizjen e lirë të qytetarëve, ne nuk na mbetet që tjetër, veç se të bëjmë gjithçka që shqiptarët të lëvizin të lirë. Pse e bëtë këtë? Ju e bëtë sepse unë e pata premtim kryesor elektoral. Ju vetëm për të groposur një premtim timin ishit gati të varrosni lirinë e lëvizjes së shqiptarëve në Europë. Po tani a mund të më thoni mua dhe çdo qytetari shqiptar se si ka mundësi që Edvin Kristaq Rama, i cili për 14 muaj lakoi çdo ditë, 5 herë në ditë, fjalën rinumërim dhe hapje kutish, vetëm 8 ditë pas dështimit të tij për bllokimin e vizave thotë nuk më duhen kutitë, nuk dua rinumërim. Nuk ka tallje më të madhe se kjo. As në veprat e Shekspirit nuk gjen makabritet të tillë. Kjo ndaj jush, jo ndaj nesh, sepse ne e realizuam qëllimin tonë, liberalizimin e vizave. Por t’ju marrë ju, t’ju fusë në grevë urie, t’ju lër jashtë Parlamentit, t’ju lërë pa rroga, t’ju denigrojë, të bëjë një zinxhir të tërë të paprecedent dhe 8 ditë pas dështimit të tij total të thotë se nuk dua rinumërimin. Pse nuk e do rinumërimin mor zotëri? Pse kërkove 800 herë rinumërim? Këtyre jo ne, se ne ecëm, miratuam ligje. Sigurisht nuk miratuam me 3/5, sigurisht kishte probleme, por ama të gjitha këto i pësuat ju. U betuat 1 mijë herë se do të rrëzoni Sali Berishën dhe se pa fut Sali Berishën në kuti jetë politike nuk ka. Ju më dërguat me qindra ultimatume, kur unë nuk ju dërgova asnjëherë, por e vërteta është se nuk pyeta për to dhe skam ndërmend të pyes. Kjo jo se nuk ju respektoj ju, por nuk mund të respektoj absurditetet e një njeriu. Çfarë ju thoni ju miqve tuaj, shokëve tuaj, njerëzve tuaj për këtë punën e rinumërimit, kur vetëm 8 ditë pas liberalizimit të vizave thatë se nuk duam më rinumërimin e kutive. Si ka mundësi që pranoni t’ju trajtojnë në këtë mënyrë dhe t’ju keqpërdorin në shkallën më ekstreme?

Tani vijmë te komisioni. Përsëri për mua jeni opozitë dhe unë dua të bashkëpunojë me ju, absolutisht, mbi bazën e ligjit dhe të Kushtetutës. Më thoni ju a ekziston kund dokument i cili në 8 nene nga 9 të kërkojë hetim dhe askund të mos i referohet provave, fakteve dhe grupfakteve siç e kërkon ligji dhe gjuha e gjykatave. E kuptoni ju të nderuara zonja dhe zotërinj se po të fillojë hetimi, në këtë mënyrë ju dilni alien dhe marsianë. Kjo s’mund të ndodhë kurrë, sepse as ju dhe askush në një vend të lirë të mund të hetojë pa fakte, grupfakte dhe prova. E kuptoni ju se ai kërkon që ju të votoni hetim pa prova, fakte e grupfaktesh.

Unë ju garantoj dhe ju jap fjalën e nderit se pranoj çdo hetim. Shkoni prapë në gjykatë, numërojmë dhe vlerësojmë çdo votë. Ju mos u trembni nga Shkodra. Ne bëjmë një pakt: në qoftë se unë fitoj deputet nuk po e marr, në qoftë se e fitoni ju merreni. Por nuk ka, e faktoi Shkodra. Sepse ne kemi arritur të vendosim një standard të paprecedent në procesin e numërimit.

E vërteta është se qytetarët e Shkodrës janë në një vështirësi shumë të madhe, shumë serioze dhe kjo qeveri po bën gjithçka për t’i ndihmuar. Por do ishte më mirë që edhe ju si forcë politike të angazhoheshit për të bërë atë që keni mundësi. Sigurisht, më të kufizuara. Qortojeni sa të doni qeverinë, por jepni dhe kontribute konkrete për të lehtësuar situatën shumë të vështirë të atyre qindra e mijëra banorëve që janë të rrethuar nga uji. Pra, doni komision – plotësisht dakord, doni ju të hetojmë mbi bazën e një përcaktimi që keni shkruar vetë në ligj se hetimi bazohet në prova, fakte e grupfaktesh – urdhëroni që tani. Unë ju kam dhënë fjalën dhe nuk e lëviz fjalën tim. Ju do të keni shumicën në këtë hetim. Kësaj i qëndroj unë. Për këtë s’ka asnjë lëvizje. Hiqeni nga mendja. Ju do keni shumicën në çdo votim. Ligji do respektohet. Dy anëtarë të mijtë nuk do të duken që nga dita e zgjedhjes deri në ditën e fundit në atë komision. Kaq dhe bëjmë ligjin. Këtë se doni ju, por në çdo rast nëse ju mendoni se do përdorni në mënyrë të paligjshme komisionin, ky Parlament i ka votat për të marrë çdo vendim ndaj tij. E keni gabim, se unë nuk kam asnjë qëllim të keq në atë çfarë them. Unë kam vetëm një qëllim që ligji të zbatohet dhe kërkesa juaj të zbatohet. Por juve nuk ju lënë, sepse nuk doni hetim. Unë ju tregova ca gjëra për obsesionin që ndoshta s’duhet t’jua kisha thënë kurrë. Testamenti i Koços dhe të më falë Koçoja, por e kanë të përbashkët. Kjo është më shumë se induksion. Në informatikë kjo quhet rëndomë reja-kompjuterike.

Ju keni këtu ministra, kryeministra, njerëz që kanë qeverisur dhe ju merr një lepurush e ju vë nota. Po a ka gjë më të turpshme se kjo? Merr lepurushin dhe ca lepurushë të tjerë. Po ky Fuga që bënte rreshtore? Ky u vinte nota ju. Unë jua them këto se ju keni përfunduar në ekzistencializëm. Ky është ekzistencializëm. Si mund të kaloni një qëndrim të tillë. Një njeri që s’ka mbaruar as shkollë asgjë t’ju vërë nota ju, ti merr 5, ti merr 10, ti merr 9.

I përmenda disa gjëra për tu bërë thirrje që të bëhet një kthesë në qëndrimet tuaja dhe unë ju garantoj se zëri juaj do vlerësohet dhe do dëgjohet. Nëse doni merruni ju me Sali Berishën, sa të doni, por kjo të mos t’ju pengojë të merreni me detyrimet tuaja. Sepse çfarë do të thoshte po të ngrihej nga mëngjesi deri në darkë Sali Berisha, Sali Berisha. Keni dhe një grup të vogël pseudo-analistësh. E dini ju çfarë thonë ata për ju? Një ditë në një pritje i thash njërit si je, si po shkon ti me ato notat? Jo, - tha, - nuk bëj notat unë, bëj fjalimet. Ju nuk keni fibrën tuaj politike. Dhe të bashkëpunojmë në interesin tuaj më të mirë. Vendi nuk ka njohur ndonjë opozitë si kjo. Kjo mori fund tani. Sipari u mbyll. Le të ulemi e të ndërtojmë bashkë atë komision bashkë mbi këto parime. Ju pranoni gjuhën e ligjit dhe të jeni të sigurt që nuk ka asnjë kufizim. Të bazohemi në Kushtetutë. Mos më kërkoni ta ndryshoj se nuk e bëj. Dhe me vjen keq se ju gënjen, ju thotë se Berisha e pranoi në 2007. Por në 2007 e pranoi sepse pasi isha bërë Kryeministër, kisha marrë qeverinë, do tu faktoja të gjithë botës që zgjedhjet do të jenë të lira në Shqipëri. Ajo ishte kryesorja për mua, ishte beteja e jetës time. Kështu që çlirohuni nga këto. Ndodhi ç’ndodhi për një vit rresht, konkurrojmë vitin tjetër për së mbari. Shfrytëzoj rastin, se nuk e di a ju takoj, t’ju uroj gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ju dhe gjithë shqiptarëve.


* Fjala e mbajtur në parlament nga kryeministri Berisha gjatë mocionit me debat të kërkuar nga opozita lidhur e çështjet e integrimit në Bashkimin Evropian

KOMENTE