English

Akademia mes politikës dhe të ardhmes

Akademia e vërtetë është vizion i të ardhmes dhe jo politikë personale

Nikolla Marku

Akademi mos rri e bëj sehir, por bëhu më e gjallë dhe shpresëdhënëse e kombit tënd.

I nderuar lexues shqiptar. Kemi shumë probleme të përbashkëta që na mundojnë. Shpreh keqardhjen më të madhe ndaj Akademisë së Shkencave që gati prej mese 15-vjetësh që unë jam drejtues i Kishës Kombëtare Ortodokse në rang kombëtar, nuk i shoh ata të rreshtuar si dikur patriotët rilindës që e mbrojtën Shqipërinë me penë, punë dhe luftë ndaj armiqve të kombit tonë .

Akademikët sporadikisht kujtohen të nxjerrin në shtyp ndonjë artikull mbi helenizmin e kishës shqiptare. I vetmi pothuaj, si profesor K. Frashëri, të cilin e respektoj për prononcimet e tij në shtyp për problem kombëtarë.

Të tjerëve u them me plot gojën, se kanë futur kokën në rërë si struci, duke bërë sehir se çfarë armësh të reja po nxjerr “ujku plak” Janullatos. Turp kombëtar jo vetëm për akademikët, por edhe për historianët, intelektualët që me qëndrimin e heshtur i kanë dhënë mundësi “dhelprës” greke Janullatos të na pështyjë në fytyrë të gjithëve duke na çmobilizuar si akademikë apo intelektualë, por dhe duke na mohuar historinë.

Ç’është ky qëndrim, kujt i vjen për shtat kjo frikë ky pozicion. Kur do t’i përvishemi punës t’i tregojmë vendin këtyre që mendjen e kanë tek helenizmi apo shpifjet e tipit Dik Marti. Unë si klerik, shtroj pyetjen e kahershme por dhe aktuale për të ardhmen. A e meritojmë emrin shqiptar ose a jemi shqiptar?….

A mundet që ne të pranojmë një grusht priftërinjsh grekë, me në krye armikun më të fuqishëm e më të madh, dhelprën ballkanike Janullatos. Ky ushtarak i helenizmit grek që ushqehet duke na rrëmbyer nga arkivat, historinë e shkruar me mund e sakrifica nga shekujt e hershëm, duke na mohuar me paturpësinë më të madhe, e duke hedhur në koshin e plehrave tërë martirët e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Si mund t’i thoni vetes akademikë, kur juve Janullatos ju ka injoruar kaq shumë në historinë e kombit. Pse vetëm profesor K.Frashëri do të luftojë, bashkohuni të gjithë dhe merreni pa frikë se nuk mund t’ju mposhtë një dhelpër greke. Tregojini me urtësi vlerat, historinë, arkivat dhe dorëshkrimet e popullit që ju ka rritur juve bashkë dhe me mua.

Ne e kemi për nder që jemi mbështetës të rilindësve dhe shqiptarë.

Sigurisht një përgjegjësi historike për Janullatosin, mban Ramiz Alia dhe Ylli Popa, që gatuan çorbën helenike greke, në krye të kishës shqiptare.

Akademik të bën mendimi i ndritur në të mirë të kombit tënd dhe jo kultura personale për interesin tënd egoiste. Ylli Popa e ka të nxirë “faqen” përpara kombit shqiptar, si bashkëpunëtor i ngushtë i helenizmit, dhe si bashkëpunëtor i ngushtë i Janullatosit.

Fqinjët tanë e kanë Akademinë e tyre të Shkencave pararendëse të fateve kombëtare ndërsa ne e kemi “sehirxhije” dhe “servile” të konjukturave të pafavorshme.

I pyes shqiptarët se për çfarë shquhet Akademia e Shkencave në Shqipëri?... Ne e dimë të gjithë që shquhet për asgjë, sepse është një bisht burokratik i diktaturës dhe nervi i kohës i ka vdekur.

Personalisht i bëj thirrje elitës shqiptare, kudo që ndodhet që të japë kontribut të drejtpërdrejtë për atdheun, sepse akademia ka “vdekur” bashkë me Ylli Popën e kompani. Ne na duhet një ndryshim rrënjësor i themelit inteligjent kombëtar, ku baza e teorive të vlefshme të jenë rilindësit tanë së bashku me intelektualët progresiv dhe kombëtar të kohës që jetojmë tani. Jo vetëm Akademia e Shkencave por dhe një pjesë e politikës shqiptare, e respekton Janullatosin nën një ngërç psikik që dallohet lehtë në “fytyrat maskë” që shfaqin kur takojnë atë. S’është çudi që për disa, Janullatos është bërë babai i tyre shpirtëror.

Koha në mënyrë absolute do t’i ndëshkojë këta “mbijetorë” pa atdhe e pa komb.

*Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare

KOMENTE