English

Ali Ahmeti: Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Shkup, 4 janar, NOA - Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se zgjedhjet të parakohshme në Maqedoni nuk do të ketë, derisa të përfundojnë projektet e filluara që janë në dobi të shqiptarëve, siç i përmendi ai Korridori 8, Korridori 10 dhe ndërtimi i hidrocentraleve.

Sipas tij, opozita është frikësuar dhe nuk është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.

"Unë kam biseduar me partitë opozitare dhe kam qenë shumë i hapur dhe transparent, si me ato maqedonase, ashtu edhe me ato shqiptare, dhe i kam pyetur shumë sinqerisht a e kanë seriozisht apo jo. Kur i pyeta, e pash që ata janë frikuar që të mos them unë - keni vendos për zgjedhje, hajde shkojmë. Ky vend nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme momentalisht, sepse po ballafaqohemi me disa tema shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë", tha Ahmeti, njofton agjencia e lajmeve INA.

Lideri i BDI-së më tej ka garantuar se në procesin e ardhshëm të regjistrimit do të përfshihet çdo banor i Maqedonisë, pa marrë parasysh se ku jeton, dhe që së paku një herë në vit frekuenton vendlindjen e tij.

"Asnjë qytetar nuk do mbetet jashtë regjistrimit, pavarësisht ku punon dhe ku jeton përkohësisht, çdo shqiptar që një herë e më shumë brenda vitit hynë në vendin ku jeton dhe ka pasurinë dhe shtëpinë, ai regjistrohet nga i afërmi më i afërt i moshës madhore. Dokumentet duhet t'i disponojë, certifikatë të lindjes dhe numrin amë", tha Ahmeti.

NOA-INA

KOMENTE