English

Gardhi grek për emigrantët, Turqia: E drejtë e Athinës të marrë masa

Athinë, 4 janar, NOA - Me një deklaratë, që media greke e ka cilësuar si surprizë, ministri i mbrojtjes së qytetarit, Kristos Paputsis, ka paralajmëruar ngritjen e një gardhi kufitar, si pjesë e masave të reja të qeverisë për të përballuar fluksin e kalimeve klandestine në ultësirën e lumit Evros, në kufirin me Turqinë.

“Shoqëria greke i ka kaluar limitet e tolerancës ndaj emigrantëve klandestinë. Përveç masave të tjera, ministria po planizon në kufirin tokësor ndërtimin e një gardhi për parandalimin e hyrjes së emigrantëve klanestinë”, ka deklaruar ministri.

Sipas burimeve të shtypit, gardhi, me gjatësi 12, 5 km dhe lartësi 3 metra, do të jetë i pajisur me kamera termike dhe zbuluesa zhurmash.

Sipas ministrit, ndërtimi i gardhit është pjesë e një pakete masash për luftimin e emigracionit klandestin, që do të votohet së shpejti në parlament. Ndër këto masa përfshihet edhe reformimi i shërbimit të dhënies së azilit politik, në kohën që autoritetet greke kanë pa shqyrtuar 45 mijë kërkesa për azil.

Projekti për ndërtimin e gardhit ka shkaktuar reagime të ashpra nga ana e partive opozitare greke. Partitë e djathta theksojnë se problemi nuk mund të zgjidhet me masa të tilla, që i cilësojnë si gjysmake. Partitë e majta thonë se këto janë masa çnjerëzore.

Edhe organizata Amnesty International ka reaguar në mënyrë kritike, duke kërkuar që Bashkimi Europian të mos lejojë ndërtimin e gardhit.

“Nëse BE-ja lejon ndërtimin e atij gardhi, atëherë shkel edhe vetë parimin themelor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, ka theksuar një drejtues i Amnesty International.

Komisioni Europian nuk ka shprehur një qëndrim të qartë, pro ose kundër ndërtimit. Zëdhënësi i komisioneres për çështjet e brendshme, Sesilia Malstrom, nuk e ka komentuar projektin, por ka thënë se ajo që komisionerja Mallstrom ua ka bërë të qartë autoriteteve greke është se nevojiten reforma të fuqishme strukturore, për menaxhimin më të mirë të kufijve të saj.

Media gjermane ka mbajtur qëndrim kritik ndaj projektit të shpallur nga ministri grek, ndërkohë që Ankaraja zyrtare ka komentuar se “është e drejtë e çdo vendi që të marrë masa për ruajtjen e kufijve të vet”.

Ministri i mbrojtjes së qytetarit i është rikthyer të hënën në mbrëmje kësaj çështjeje, kryesisht për të kundërshtuar kritikat e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Ai ka theksuar se "është hipokrizi kur disa që deri më sot e godisnin Greqinë se nuk mundet të ruajë kufijtë e saj në përputhje me marrëveshjen Shengen, ta kritikojnë tani pse Greqia kërkon të forcojë ruajtjen e kufijve”.

Sipas ministrit, vitin e fundit kanë hyrë në Greqi 128 mijë emigrantë klandestinë, 50 mijë prej të cilëve nga kufiri greko-turk. 80% e tyre kanë hyrë nëpërmjet zonës në ultësirës së Evros, ku planifikohet të ndërtohet gardhi.

Pjesa më e madhe e klandestinëve e përdorin Greqinë thjesht si trampolinë për të kaluar në vende më të zhvilluara, në brendësi të Europës. Sipas të dhënave zyrtare, 90% e klandestinëve që depërtojnë në Europë kanë përdorur Greqinë si portë hyrëse.

a.k/NOA/BBC

KOMENTE