Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mbi kafshët poetike
English

Mbi kafshët poetike

Poetët nga Kosova, Serbia dhe rajoni organizojnë një takim letrar të fqinjve, lexojnë poezitë e tyre dhe mbajnë tryeza tematike. Shkrimtarët e rinj po e përkthejnë njëri-tjetrin, po tregojnë një kërshëri të natyrshme për atë se çka krijojnë dhe botojnë fqinjët. Nuk është diçka e detyrueshme, por bën pjesë në normalitetin që nuk ka nevojë për etiketa të misioneve, sidomos jo të atyre politike

Nga Shkëlzen Maliqi

Në dialogun qytetar shqiptaro-serb jam pjesëmarrës më shumë se njëzet vjet. Janë kujtime të mira, por edhe kujtime tensionesh. Për shkak të dialogut shpesh jemi ballafaquar me denoncime dhe sulme denigruese politike, mediale, policore. I kemi pas edhe dyshimet tona. A po i kuptojmë mirë proceset historike? A po i themi gjërat si duhet dhe me kohë? Nismat qytetare na dukeshin margjinale, pa ndikim të duhur. Këshillat tona binin në veshët e shurdhër të atyre që ishin kundër dialogut, po përgatisnin dhe e nisën luftën.

Sot e dimë se kemi qenë mjaft parashikues dhe me qëndrime të drejta, ndriçuese. Por sot dua të them diçka më cool për dialogun.
Të gjithë e dimë se jemi në prag të fillimit të dialogut ndërshtetëror Kosovë - Serbi. Rezoluta e Kombeve të Bashkuara e fillimit të shtatorit të vitit 2010 obligon dy shtetet për të filluar dialogun. Dhe kjo është diçka që duhet të ketë përkrahje të gjërë. Problemet e akumuluara duhet të zgjidhen sa më parë në mënyrë që të zhbllokohemi nga ngecja shumëvjeçare.

Dialogu civil shqiptaro-serb besoj se nuk duhet të kuptohet vetëm si një paradhomë dhe lehtësues i dialogut politik. Ai ka edhe rrjedha tjera, më substanciale dhe më premtuese. E kam parasysh një dimension të normalitetit që nuk ka shumë konsiderata ndaj politikës dhe historisë. Mendoj në takimet e shpeshtuara të qytetarëve nga Kosova dhe Serbia, kryesisht të rinj, që po zhvillohen viteve të fundit, me apo pa prezencë të mediave. Janë takime të motivuara nga nevoja e natyrshme dhe pa shtirje për njohje dhe këmbim përvojash mes fqinjësh.

Po e marr si shembull një ngjarje, festivalin Polip, që po mbahet këto ditë në Prishtinë në ambientin alternativ që quhet Hapësirë Manipuluese Tetris. Poetët nga Kosova, Serbia dhe rajoni organizojnë një takim letrar të fqinjëve, lexojnë poezitë e tyre dhe mbajnë tryeza tematike. Shkrimtarët e rinj po e përkthejnë njëri-tjetrin, po tregojnë një kërshëri të natyrshme për atë se çka krijojnë dhe botojnë fqinjët. Nuk është diçka e detyrueshme, por bën pjesë në normalitetin që nuk ka nevojë për etiketa të misioneve, sidomos jo të atyre politike.

A nuk do të duhej të ishte kjo një kurorë e synuar e dialogëve tanë shumëvjeçarë qytetare? Poetët dhe artistët që sot lëvizin lirshëm, - më vjen t’i quaj kafshë poetike në analogji me kafshën politike të Aristotelit, - janë duke bërë ate çka ne po flasim dhe predikojmë me vite të tëra.

Por, më duhet që këtu ta ndal këtë paksa si idealizim dhe romantizim të gjendjes. Unë e di shumë mirë se kemi një mori problemesh që kanë nevojë për dialog qytetar. Ka ende shumë njerëz në Kosovë dhe Serbi që kanë mbetur peng të politikave të së kaluarës, të manipuluar tmerrësisht dhe të frikësuar deri në palcë nga Tjetri dhe bashkëjetesa e qytetëruar.
Dua ta cek këtu një aspekt të krizës që ka lidhje me kulturën dhe shoqërinë civile.

Jam jo pak i zhgënjyer që edhe pas aq shumë investimeve që janë bërë për zhvillimin dhe ngritjen e shoqërisë civile, ende nuk e kemi, - flas për Kosovën, por mund të jetë kështu edhe në Serbi, - shoqërinë civile organike, që buron nga nevojat e shoqërisë, dhe jo nga mjeshtëria e thithjes së donacioneve.
Në fund të ditës, pas shumë investime, pjesët e mëdha të shoqërisë civile na dalin të kurruptuara, si trampulinë për të zënë poste dhe për të bërë karriera politike. Nuk i kemi ndërtuar ende instrumente, si shoqëri, për përkrahje të iniciativave qytetare. Nuk i kemi ligjet, institutet dhe vijat buxhetore që do të mbështesnin nismat qytetare nga fondet publike që nuk kontrollohen nga pushteti. Është paradoks që shoqëria civile punon për të mirën e shoqërisë, e nuk ka qasje në fondet publike vendore! Pse duhet të financohet nga tatimpaguesit e SHBA-ve dhe vendeve Evropiane, dhe jo nga tatimpaguesit e Kosovës?

Në Kosovë kultura është gjëja më e përbuzur, sektori ku më pak investohet. Jo pse shteti është i varfër dhe i ka prioritetet tjera, por sepse politikën dhe kulturën e sundojnë shumë njerëz që në esencë janë mendjembyllur, vijnë nga rezervati i vetëkënaqjes nacionaliste, e janë promovues dhe përfitues nga pseudokrijimtaria dhe pseudokultura.

Nuk ka dyshim se ne, si përfaqësues të shoqërive civile, jemi të interesuar për dialog dhe ringjalljen e të gjitha formave të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë mbi parimet e barazisë dhe të drejtave të njëjta. Bashkëpunimi kulturor është njëra nga mënyrat më efikase për vendosjen e dialogut të civilizuar të krijuesve dhe për menjanimin e paragjykimeve.

Dy kulturat, ajo kosovare dhe serbe, për shumë kohë kanë raporte antagoniste që janë të ngarkuara me shumë paragjykime. Kami kaluar një periudhë shumë të rëndë këto 30 vitet e fundit, kur nacionalizmi dhe shovinizmi serb vendosi një regjim represiv të dominimit në Srebi dhe Kosovë, duke instaluar në Kosovë jo vetëm aparteidin politik, por edhe atë kulturor. Kjo ka shkaktuar ndërprerjen e gati çdo kontakti institucional mes dy kulturave. Megjithatë, jo zyrtarisht disa grupe dhe individë më largpamës dhe pa paragjykime, nuk e kanë ndërprerë komunikimin dhe projektet e përbashkëta. P.sh. artistët nga Kosova kanë ekspozuar në momentet më kritike, në qershor të vitit 1997, në Beograd, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.

Në fund dua të përmend edhe një gjë skandaloze, që ngarkon raportet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë. Është çështje thesarit të Muzeut të Kosovës. Pak para luftës së viteve 1998-1999 nga Muzeu i Kosovës është “huazuar” një pjesë e madhe të koleksioneve më të çmuara, me motivin se ato do të ekspozoheshin në Galerinë e Akademisë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë në Beograd, si dhe në disa vende tjera në Serbi dhe Vojvodinë. Por, si duket kjo është bërë qëllim që ky thesar të grabitet dhe të përvetësohet. Bëhet fjalë për artefakte vërtet të çmueshme dhe të jashtëzakonshme, që edhe pas 12 vjetëve mbahen peng, të mbyllura në depot e Muzeut Popullor të Serbisë. Beogradi zyrtar nuk po tregon shenja se ka ndërmend ta kthejë këtë thesar. Sillet sikur ato janë pronë e Serbisë, ngase edhe vetë Kosovën e konsideron si pronë të veten. Duhet shpresuar që në dialogun zyrtar i cili do të fillojë së shpejti, edhe kjo çështje do të trajtohet drejt dhe koleksionet e tjetërsuara do të kthehen aty ku e kanë vendin.

KOMENTE